E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, “killeri” i trajnerëve kroatë



Dash Frashëri

Zlatko Daliç ishte i fundit i trajnerëve kroatë që kanë drejtuar Dinamon, ose më saktë i pesti trajner nga atdheu i Oto Bariçit që ka drejtuar në Shqipëri. Ish-trajneri i Kroacisë U-21, Zlatko Daliç, dha dorëheqjen pas humbjes 1-0 me Partizanin, në javën e 19-të sezonit 2008-2009.
Historia e trajningut kroat në Shqipëri është e dhimbshme, pavarësisht se formimi i tyre ka qenë ndër më të profesionalët që kanë drejtuar në Shqipëri. “Viktimat” kroate janë prodhim sa i moskuptimit të “undergroundit” sportiv shqiptar, por dhe pafatësisë në rezultate, por që “çuditërisht” lidhen me emrin e Partizanit.
I pari, Luka Bonaçiç, i mbiquajtur “diktatori i hekurt”, rezistoi vetëm një javë kampionat, pasi dha dorëheqjen pas barazimit 2-2 të Dinamos në Lushnjë, në sezonin 2005-2006.
Edhe Ivan Kataliniç, i cili së fundi mbërriti në Shqipëri si trajneri i skuadrës boshnjake Shiroki Brijeg, në ndeshjen kundër Partizanit në turin e parë eliminator të Kupës UEFA nuk arriti të mbijetonte te Dinamo në sezonin 2005-2006. “Ivani i tmerrshëm” i shkarkua si trajner i Dinamos më 29 janar 2006, menjëherë pas humbjes 1-0 me të kuqtë në javën e 21-të të sezonit 2005-2006.
Ish-ndihmësi i trajnerit të përfaqësueses së Shqipërisë, Oto Bariç, Slavko Kovaçiç është me jetëgjati në kohë, pasi Kova në stolin e Flamurtarit drejtoi një pjesë të mirë të sezonit 2007-2008 dhe disa javë në sezonin 2008-2009.
Kroati Slavko Kovaçiç dha dorëheqjen nga Flamurtari pas barazimit të bardhë me Bylisin në Vlorë (java e 9-të e këtij sezoni), duke u bërë i pari i larguar nga tre trajnerët kroatë që drejtojnë në Shqipëri këtë sezon.
Boshnjako-kroati Blaz Slishkoviç, i mbiquajtur “Murinjo shqiptar” për shkak të metodave rraskapitëse stërvitore dhe “rrethimit” të fushës stërvitore të Tiranës, nuk e pati të gjatë me bardheblutë. Edhe Blaz Slishkoviç dha dorëheqjen pas javës së 14-të, pas një barazimi të dhimbshëm me Partizanin, 2-2. Një fakt bashkon Daliçin, Slishkoviçin dhe Kataliniçin: të tre këta janë larguar pasi kanë humbur me Partizanin, që tashmë mund të konsiderohet një “killer” i trajnerëve kroatë.

Dinamo, streha e trajnerëve të huaj

Dinamo është skuadra shqiptare që ka pasur më shumë trajnerë të huaj në drejtimin e saj: shtatë të tillë, nga tre kombësi të ndryshme; rumune (1), argjentinase (3) dhe kroate (3).
I pari i huaj që drejtoi te 17-herë kampionët e Shqipërisë ishte rumuni Aurel Cikleanu, një trajner me përvojë shumë të madhe në drejtim, por që rezistoi te Dinamo vetëm 7 muaj. Mbërriti në stolin blu më 30 nëntor të vitit 2002. Gjithsesi, Cikleanu ia doli të fitonte kupën në sezonin 2002-2003.
I dyti, kroati Luka Bonaçiç, do të mbetet në historinë e futbollit shqiptar si “diktatori” i rrëzuar brenda një jave, kur Dinamo barazoi me Lushnjën 2-2 në sezonin 2005-2006, pikërisht më 29 gusht 2005.
I treti, Ivan Kataliniç, nuk arriti të mbijetonte te Dinamo në sezonin 2005-2006. “Ivani i tmerrshëm” e nisi karrierën shqiptare me një ndeshje kundër Partizanit dhe u shkarkua si trajner i Dinamos më 29 janar 2006, menjëherë pas humbjes 1-0 me të kuqtë në javën e 21-të të sezonit 2005-2006. E mori stolin nga Vasil Bici më 13 nëntor 2005 dhe ia dorëzoi po Bicit më 29 janar 2006.
I katërti, argjentinasi Pedro Pablo Paskuli, erdhi me shumë bujë më 15 janar 2005, në vend të “legjendës dinamovite” Faruk Sejdinit, por rezistoi vetëm dy muaj, pasi në mars të po këtij viti ia la vendin Agim Canajt.
I pesti, Argjentinasi Ramon Kabrero, një emër i madh i trajningut në atdheun e Maradonës, kampion aktual në Argjentinë me Lanus, u përzgjodh nga presidenti Sulaj pas eksperiencave të dështuara me argjentinasin tjetër, Paskuli. Kabrero e drejtoi Dinamon 15 ditë, por në dy ndeshje në Kupën Intertoto 2006.
I gjashti ishte po një argjentinas, Marcelo Havier Zuleta, i cili ka vendosur edhe një rekord absolut te Dinamo, pasi e drejtoi skuadrën vetëm në një ndeshje ndërkombëtare, të vlefshme për Ligën e Kampioneve, në humbjen 2-0 kundër Modricës në “Qemal Stafa”. Zuleta ia mori vendin e punës Ilir Dajës më 30 qershor 2008, por ia bëri dhuratë Zlatko Daliçit më 28 korrik 2008.
I shtati nuk është askush tjetër, por Zlatko Daliç. Vetëm 19 javë nën drejtimin e bluve, por i larguar nga Shqipëria me një trofe të “vockël” si Superkupa e Shqipërisë, kur Dinamo e drejtuar prej tij fitoi 2-0 me Vllazninë.

Te gjitha lëvizjet e trajnerëve të Dinamos nga viti 2002 deri sot

5 shkurt 2009:
Zllatko Daliç jep dorëheqjen nga Dinamo

28 korrik 2008:
Zllatko Daliç në vend të Marselo Havier Zuletës

30 qershor 2008:
Marselo Havier Zuleta në vend të Ilir Dajës

23 shkurt 2008:
Ilir Daja në vend të Agim Canajt

Verë 2007: Agim Canaj në vend të Redi Jupit

25 tetor 2006:
Redi Jupi në vend të Faruk Sejdinit

Verë 2006:
Farruk Sejdini në vend të Vasil Bicit

27 mars 2006:
Vasil Bici në vend të Sulejman Demollarit

14 mars 2006:
Sulejman Demollari në vend të Vasil Bicit

15 shkurt 2006:
Vasil Bici në vend të Luka Bonaçiçit

29 janar 2006:
Luka Bonaçiç në vend të Ivan Kataliniçit

13 nëntor 2005:
Ivan Kataliniç në vend të Vasil Bicit

29 gusht 2005:
Vasil Bici në vend të Luka Bonaçiçit

Verë 2005:
Luka Bonaçiç

mars 2005:
Agim Canaj në vend të Pedro Pablo Paskulit

15 janar 2005:
Pedro Pablo Paskuli në vend të Farruk Sejdinit

verë 2004:
Faruk Sejdini

20 shkurt 2004:
Vasil Bici në vend të Sulejman Demollarit

4 tetor 2003:
Sulejman Demollari në vend të Andrea Markos

Verë 2003:
Andrea Marko

8 maj 2003:
Edmond Zhupa në vend të Aurel Cikleanut

30 nëntor 2002: Aurel Cikleanu në vend të Farruk Sejdinit

Verë 2002:
Farruk Sejdini

6 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›