Gjyqtarët, kundër Realit

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka akuzuar gjyqtarët në La Liga se ndëshkojnë futbollistët e tij më tepër se rivalët dhe reagoi ndaj tifozëve kundërshtarë për vërshëllimat e tyre ndaj Cristiano Ronaldos.
Reali ka disa futbollistë, përfshirë mbrojtësin Sergio Ramos dhe sulmuesin Gonzalo Higuain, të lënduar, ndërsa mesfushori Xabi Alonso dhe mbrojtësi i majtë Marcelo do të jenë të suspenduar për ndeshjen e ardhshme në shtëpi kundër Sevillas, pasi u ndëshkuan me kartonët e pestë të verdhë në fitoren 3-1 ndaj Real Zaragozas të dielën.
“Ky është futbolli dhe kjo neve na ndodh shpesh”, tha Mourinho i cili edhe në të kaluarën e tij në Angli dhe Itali ishte përplasur me autoritetet e ligës. “Është shumë lehtë të tregosh kartonë të verdhë për futbollistët e Real Madridit dhe jo aq për të tjerët. Më shqetëson ajo se futbollistët nga klubet tjera protestojnë ndaj këtyre vendimeve, ndërsa ne nuk mundemi. Në mënyrë të njëjtë ju keni trajnerë të cilët mund të dalin nga zona e tyre, ndërsa të tjerët jo”, shtoi ai.
Mourinho theksoi se bashkëkombësi i tij dhe golashënuesi më i mirë në La Liga, Ronaldo, meriton tretman më të mirë nga tifozët rivalë. “Cristiano është një fenomen dhe është vështirë të kuptoni mënyrën se si trajtohet”, përfundoi Mourinho.