“Matarrese”, gati investimet në Shqipëri
• Kompania italiane “Matarrese” i ka paraqitur dje Kryeministrit Berisha projektin për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.Adi ShkëmbiGjatë një takimi në selinë e Kryeministrisë, kompania italiane ka shprehur interesin e saj për të investuar në Shqipëri, kryesisht në ndërtimin e rrugëve, duke paraqitur edhe projekte konkrete. Në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë, bëhet e ditur se kompania “Matarrese” ka vlerësuar reformat e ndërmarra nga qeveria për përmirësimin e klimës ndaj biznesit në Shqipëri dhe për thithjen e investimeve të huaja. “Përfaqësuesit e kompanisë ‘Matarrese’ përshëndetën reformat dhe arritjet e qeverisë shqiptare për përmirësimin e klimës për investime në Shqipëri. Jehona e reformave dhe arritjeve të fundit, thanë ata, ndikoi në vendimmarrjen e grupit tonë dhe përgatitjen e projektit për ndërtimin e rrugës Tiranë–Elbasan”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Projekti i kompanisë “Matarrese” për këtë aks rrugor rrit ndjeshëm nivelin teknik, shkurton distancën mes dy qyteteve dhe fut në përdorim një pjesë të autostradës Tiranë- Durrës. Ndërkohë veç projektit për ndërtimin e rrugës Tiranë- Elbasan, kompania italiane ka shprehur interesim edhe për disa akse të tjera që do të ndërtohen në vend. Kështu, kjo kompani ka shprehur interesimin e saj edhe për akset Bulqizë-Tiranë (rruga e Arbrit), Thumanë-Rrogozhinë, Qafë Thanë-Qafë Plloç si dhe Shkodër-Podgoricë. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha pasi ka vlerësuar kompaninë italiane për projektin e aksit Tiranë-Elbasan, i ka falënderuar përfaqësuesit e kompanisë që kanë përzgjedhur Shqipërinë për të vënë në jetë projektet e tyre. “Kryeministri Berisha e falënderoi grupin ‘Matarrese’ për përpjekjet dhe projekt-idetë që prezantuan, si dhe për përzgjedhjen e Shqipërisë si vend të implementimit dhe shtrirjes së biznesit të tyre. Kryeministri i rekomandoi atyre konkurrimin dhe në vepra të tjera publike, që kërkon investitorë të konsoliduar të fushës”, theksohet në njoftimin e zyrës së shtypit të Kryeministrisë.“Shqipëria, vend i sigurt për investimet”Përfaqësuesit e kompanisë italiane “Matarrese”, e kanë vlerësuar Shqipërinë si një vend të sigurt për investimet, gjatë takimit me Kryeministrin Berisha. “Duke e cilësuar Shqipërinë si një vend të sigurt për investime dhe me një klimë biznesi mikpritëse dhe të përshtatshme për të huajt, drejtuesit e kompanisë italiane ‘Matarrese’ shprehën gatishmëri të marrin pjesë në garat që do të zhvillohen në infrastrukturë, më konkretisht në ndërtimin e rrugëve”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp.“Matarrese” e specializuar në ndërtimin e rrugëveKompania “Salvatore Matarrese SPA”, e themeluar në 1945, është një nga ndërmarrjet më të rëndësishme në jug të Italisë në fushën e ndërtimit. “La Societa” punon së bashku në punë publike të inxhinierisë civile (rrugë, punime hidraulike, hekurudha, infrastrukturë spitalore, sportive, universitare, shkollore dhe restaurim ndërtesash monumentale) dhe në punime private (rezidenca, godina industriale, rezidenca turistike dhe shërbime hotelesh). Kompania ka fituar ndër vite një eksperiencë dhe specializim të veçantë në planifikim, ndërtim dhe menaxhim të punëve dhe veçanërisht në ndërtime, ristrukturim të ndërtesave civile dhe industriale; restaurim ndërtimesh që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe rregullimin e aseteve kulturore; ndërtime aquaduktesh, gasduktesh, punime ujësjellësish; punime ndërtimi dhe ristrukturimi në rrugë, ura, hekurudha dhe punime relative plotësuese; punime ndërtimi dhe ristrukturimi në strukturat e marinës; pajisje, mbledhje dhe ristrukturim të sistemeve teknologjike; punime në tokë; punime ndërtimi në sisteme ujësjellësish dhe kullimi. Në mbi pesëdhjetë vjet histori pune, kompania është e njohur për seriozitet, dinamizëm, aftësi tekniko-produktive dhe fleksibilitet në organizim, që kanë bërë të mundur realizimin e punimeve inxhinierike civile të një kompleksiteti dhe rëndësie teknike të veçantë.