Nuk është pishman që refuzoi Premierligën

19 vjeçari, në një intervistë për ueb faqen austriake www.sport10.at, ka zbuluar se para se t’i bashkohej Vikingut në vitin 2009 kishte refuzuar disa skuadra të Premierligës. Për këtë thotë se nuk është aspak pishman.
“Unë isha në prova te Manchester City, Chelsea dhe Aston Villa. Kam pasur oferta nga City dhe Aston Villa, por nuk shkova atje pasi isha larg familjes sime. Kisha nevojë për ta dhe po ashtu për t’u zhvilluar ende, jam i sigurt se ky ishte vendim i drejtë”, ka theksuar Berisha.
“Unë kisha mundësi të përfundoja në City, por edhe ish klubi im (Egersund) kërkonte dëmshpërblim. Por, siç thashë, ishte një vendim i mirë për të mos shkuar në Angli dhe të qëndroja në Norvegji”, theksoi ai.
Kosovari me pasaportë norvegjeze, i cili ka nënshkruar kontratë 4 vjeçare me Salzburgun, beson se nëse vazhdon të punojë pa ndërprerë do t’i vijë sërish një mundësi për t’u transferuar te ndonjë klub më i madh evropian.
“Për mua kohëzgjatja e kontratës nuk është një pengesë, përkundrazi. Nëse një klub dëshiron të më transferojë, atëherë mund të më blejë mua, në qoftë se jo, atëherë unë jam pjesë e një klubi të madh siç është Salzburg dhe mund të qëndroj”, u shpreh Berisha.