E Shtunë, 31 Tetor 2026

Granit, koncentrohu te Gladbachu!

Ottmar Hitzfeld e ka këshilluar Granit Xhakën të koncentrohet më shumë te Borussia Monchengladbachu, para se të mendojë për një transferim të mundshëm në Lazio. Futbollisti kosovar ditë më parë e kishte lënë të hapur mundësinë e kalimit në futbollin italian, pasi që nuk po gjen hapësira të mjaftueshme tek ekipi nga Bundesliga.

“Para se të mendojë për gjëra të tjera, Xhaka duhet të punojë fort dhe të koncentrohet tek ekipi aktual. Ai duhet të mendojë se si ta vë nën presion trajnerin Lucien Favre për ta fituar besimin e tij”, ka thënë trajneri gjerman për ueb faqen 4-4-2.com.

“Ai duhet të jetë i vetëdijshëm se Superliga e Zvicrës është e kaluara dhe duhet të koncentrohet në Bundesligë, të ambientohet me ritmin më të shpejtë të futbollit gjerman”, vazhdoi selektori i Zvicrës.

Xhaka ishte transferuar në Gladbach nga Baseli gjatë verës së këtij viti për 8,5 milionë euro. Ai u konsiderua zëvendësuesi ideal i Marco Reusit të larguar, por deri tash nuk e ka arsyetuar shumën e shpenzuar për të. Për 20 vjeçarin interesim kanë shfaqur Lazio, Arsenali dhe Milani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›