E Diel, 1 Nëntor 2026

"Nuk hiqen makinat zyrtare me 71 vota nga Parlamenti"



Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për shfuqizimin e ligjit të miratuar në Kuvend, për heqjen e makinave zyrtare për gjyqtarët. Mes argumenteve të renditura në vendim, thuhet se projektligji, i cili u miratua me shumicë të thjeshtë në Parlament, prek organet gjyqësore, veprimtaria e të cilave rregullohet me ligjet organike të miratuara me një forcë më të madhe parlamentare prej 84 votash. Në vendimin e publikuar ditën e djeshme, Kushtetuesja pohon se ka pranuar kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve Shqiptarë, për të shfuqizuar si antikushtetues pjesën e ligjit "Për Rregullimin e Shërbimit të Transportit për Funksionarët Publikë dhe Nëpunësit Civilë", për sa përfshin në fushën e zbatimit të tij: gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, kryetarët e Gjykatave të Faktit dhe Apeleve. Kjo çështje u shqyrtua më datë 17 dhjetor të vitit të kaluar nga Kushtetuesja, ndërsa argumentohet se më 15 tetor 2009, Kuvendi ka miratuar ligjin numër 10160, objekt i të cilit është rregullimi i shërbimit të transportit për një kategori të caktuar funksionarësh publikë dhe nëpunësish civilë të administratës së lartë, duke përfshirë në të edhe anëtarët e Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë, si dhe kryetarët e Gjykatave të Faktit e Apelit. Ligji, sipas Kushtetueses, iu ka hequr këtyre makinat, shërbim që përballohej nga të ardhurat publike përmes buxheteve të institucioneve përkatëse dhe iu ka caktuar një përfitim financiar mujor në shumën 35.000 lekë të rinj, për përmbushjen e detyrave të tyre funksionale. Unioni i Gjyqtarëve, në cilësinë e kërkuesit pretendoi në gjykatë se dispozitat ligjore të kundërshtuara janë antikushtetuese, duke argumentuar se parashikojnë kufizimin, ose heqjen e përfitimeve aktuale për shërbimin e transportit që u ofrohej gjyqtarëve nga shteti, dhe se janë në papajtueshmëri me Kushtetutën. Po kështu Unioni pohoi se përfitimi i një shërbimi të tillë, ndërsa përbën garanci për gjyqtarin dhe unifikon kuadrin ligjor mbi statusin e tyre, përbën dhe një detyrim për pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv, për të mos e cenuar. Duke hequr këtë lloj shërbimi, të cilin këto kategori funksionarësh e gëzonin për shkak të statusit të tyre, ligji ka cenuar parimin e sigurisë juridike, në komponentin e të drejtave të fituara dhe pritshmërisë së ligjshme, mbrojtur nga Kushtetuta. "Shërbimi i transportit, pavarësisht se nuk është parashikuar shprehimisht në ndonjë normë konkrete, është gëzuar për një kohë të gjatë nga këta funksionarë të lartë të gjyqësorit, duke u përballuar rregullisht nga buxheti i institucioneve përkatëse, në kundërshtim me parimin e ndarjes dhe të balancimit të pushteteve, si dhe me standardin kushtetues të administrimit të buxhetit nga vetë gjykatat. Ligji cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë pavarësinë organizative dhe financiare të gjykatave", argumenton më tej Unioni i cili përfundon se ky ligj cenon pavarësinë e Kushtetueses, e cila gëzon cilësinë e një gjykate që organizohet në mënyrë të pavarur për ushtrimin e juridiksionit të gjykimit kushtetues. "Ligji i miratuar me shumicë të zakonshme, duke parashikuar rregulla që modifikojnë rrethin e të drejtave e detyrimeve, dhe të statusit aktual të gjyqtarëve, që mbështeten në Kushtetutë e ligjet organike, vjen në kundërshtim me Kushtetutën dhe konceptet bazë të parimit të kushtetutshmërisë e të ligjshmërisë", përfundon Kushtetuesja. fa.ma.

Argumentet

Kufizimi ose heqjen e përfitimeve aktuale për transportin që u ofrohej gjyqtarëve nga shteti janë në papajtueshmëri me nenin 138 të Kushtetutës.

Cënohet parimi i sigurisë juridike, në komponentin e të drejtave të fituara e pritshmërisë së ligjshme, sipas nenit 4 të Kushtetutës.

Ligji cënon në mënyrë të drejtpërdrejtë pavarësinë organizative dhe financiare të gjykatave.

Cënohet pavarësia e Gjykatës Kushtetuese.

Ligji i miratuar me shumicë të zakonshme, vjen në kundërshtim me nenet 4, 6 e 81, pika 2 të Kushtetutës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›