E Diel, 1 Nëntor 2026

Ryshfet nga hajdutët, arrestohen 2 oficerët



TIRANE - Dy inspektorë të seksionit të Krimeve Kundër Pronës në Komisariatin Nr.3 të Tiranës, u arrestuan dje nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, me akuzën e korrupsionit. Përgjimet telefonike për gati dy muaj kanë zbuluar përfshirjen e dy punonjësve të policisë në afera korruptive me persona me precedentë penale dhe që kryenin vjedhje në territorin e kryeqytetit. Sipas policisë, të arrestuarit janë Preng Froku, 43 vjeç, me gradë kryeinspektor dhe detyrë ndihmësspecialist në Seksionin Kundër Krimeve ndaj Pronës dhe Besnik Preni, 34 vjeç, me gradë inspektor, me të njëjtën detyrë. Për të paktën dy muaj, dy inspektorët e policisë kanë "shpëtuar" nga prangat disa persona, që kryenin vjedhje në Tiranë, madje edhe me precedentë të mëparshëm penalë. Sipas burimeve nga policia, Preng Frroku dhe Besnik Preni, duke pasur kontakte të drejtpërdrejta me persona që kryenin vjedhje, kishin bërë një "ujdi", duke ndarë "fitimet" bashkë. Në këmbim të mosarrestimit, dy punonjësit e policisë u kërkonin hajdutëve që t'u jepnin gjysmën e parave që vidhnin. Këtë veprim oficerët e kryenin kryesisht në orët e pasdites dhe gjatë natës, në kohën kur patrullonin zonat problematike të kryeqytetit, kryesisht në zonat që administron Komisariati Nr.3. Akuza e ngritur ndaj dy punonjësve të policisë është "Korrupsion pasiv nga personat që ushtrojnë funksione publike" dhe "Shpërdorim detyre". Tolerimi i hajdutëve dhe mosveprimi për arrestimin e tyre u ka kushtuar prangat policëve. Pasi është vërtetuar konsumimi i kësaj vepre penale, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në bashkëpunim me njësinë Task-Force në Prokurorinë e Tiranës, kanë realizuar arrestimin e dy inspektorëve, me mbështetjen e Drejtorisë së Policisë, Tiranë. Në momentin e arrestimit, Preng Frroku dhe Besnik Preni janë kapur në flagrancë me një shumë totale prej 30 mijë lekësh të rinj, nga 15 mijë lekë secili. Paratë dyshohet të jenë dhënë ryshfet nga persona që kanë kryer vjedhje në zona të ndryshme të Tiranës. Burimet sqaruan se dy inspektorët janë marrë në pyetje gjatë gjithë natës, madje fillimisht kanë mohuar se janë të implikuar në këtë histori, deri sa janë ballafaquar me prova mjaft bindëse të mbledhura gjatë hetimit 2-mujor. e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›