PS kontrakton kompani lobimi në SHBA
Aristir Lumezi
Partia Socialiste e Shqipërisë ka kontraktuar “Rasky Baerlein Strategic Communications” për konsulencë dhe lobim në SHBA. Marrëveshja është përfunduar në 23 mars të këtij viti, ndërsa kompania njihet si 50 organizatat më të mira komunikuese në SHBA. Lajmi bëhet i ditur në site-n zyrtar të vetë kompanisë në internet, ndërsa stafi i saj drejtues përbëhet nga përfaqësues të njohur të fushës së konsulencës politike, të biznesit dhe medias kryesisht me origjinë hebraike. Duket se socialistët kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, duke filluar nga konsulenca se si do të ndërtojnë fushatën e tyre zgjedhore, komunikimin me median, por duke mos harruar dhe lobingun ndërkombëtar, kryesisht me Departamentin e Shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Turi diplomatik që socialistët zhvilluan në mënyrë intensive në Evropë dhe SHBA që pas zgjedhjeve të 28 qershorit dhe vendimit të tyre për bojkot, duket se ata kanë menduar që kjo fushatë të mbulohet nga një kompani e specializuar dhe prestigjioze, e mbi të gjitha me reputacion të lartë në Amerikë. Socialistët përmes kontakteve me eurodeputetë, zyrtarë të lartë të PE-së, BE-së dhe Këshillit të Evropës, arritën të kthejnë situatën politike në favorin e tyre, sa i takon bojkotit dhe kërkesës për hapjen e kutive. Ata morën mbështetjen e evropianëve, fillimisht skeptikë për vendimin e bojkotit, por gjithashtu edhe u bindën prej tyre se duhej t’i jepnin fund bojkotit absolut. Por konsulenca zgjedhore nuk ka munguar për asnjë çast gjatë gjithë përvojës politike të Edi Ramës që prej zgjedhjeve të vitit 2000 për Bashkinë e Tiranës. Artur Falkenstein ka qenë konsulenti personal i të gjitha fushatave të Ramës, i cili ka qenë i dobishëm për të edhe në momente të vështira, siç ishte publikimi i fotove nudo nga një e përditshme shqiptare. “Rasky Baerlein Strategic Communications” përbëhet nga këshilltarë të besuar të komunikimit dhe të çështjeve publike me eksperiencë në udhëzimin e kompanive në kompleksitete të biznesit, politikës dhe medias. Ekspertët e kësaj kompanie (në çështje publike, marrëdhënie publike dhe marrëdhënie qeveritare) premtojnë se mund të nxjerrin nga kriza, mbështesin për lançimin e ideve të reja dhe ndihmojnë se si të tregohet më mirë historia e çështjes përpara legjislatorëve lokalë, shtetërorë dhe federalë. Ndër klientët e saj renditen nga kandidatë presidencialë dhe ekzekutivë të nivelit C. Zyrat e kompanisë janë në Boston dhe Uashington DC.
PS: Protesta nga të gjitha shtresat
Partia Socialiste u bëri sërish apel dje për protesta të pandalshme, shtresave të ndryshme të shoqërisë. Deputetja Arta Dade në një konferencë për shtyp nga selia rozë u shpreh për bashkim të shqiptarëve dhe shqiptareve, për të larguar me anë të protestave pushtetin e familjes. “Ti themi ‘jo’ pushtetit antidemokratik të familjes. Ripërsëritim apelin tonë për qytetarët. T’i japim fund keqqeverisjes, që buron nga deformimi i votës. Qytetarët të bashkohen me ne dhe ne me qytetarët për protesta të pandalshme”, tha Dade. Sipas saj, protestat tashmë marrin një karakter më të madh, jo vetëm për kutitë e votimit. “Protesta për rritjen e papunësisë, kundër korrupsionit galopant, kundër varfërisë së skajshme në fshat”, u shpreh Dade.
Deputetët e PS marrin pagën e plotë për marsin
Deputetët e Partisë Socialiste marrin pagat e plota nga Kuvendi. Që prej ditës së pardjeshme 64 opozitarët kanë tërhequr nga banka pagën mujore të tyre. Sipas burimeve zyrtare mësohet se socialistët janë paguar dhe për ato ditë të muajit shkurt dhe muajit mars. Opozita hyri për herë të parë në Kuvend më 25 shkurt, e që nga kjo ditë administrata e Kuvendit ka përfshirë në pagë socialistët. Ndërsa mësohet se për muajin mars të 64 socialistët janë paguar me pagën e tyre të plotë. Sipas burimeve, një pjesë e deputetëve opozitarë, të cilët kanë qenë më parë në Legjislaturën e kaluar parlamentare, banka ia ka mbajtur një pjesë të pagës, pasi kanë marrë më parë overdraft (pagë paradhënie). Paga bruto e një deputeti është 152.500 lekë, ndërsa me gjithë ndalesa, sigurime shoqërore dhe tatime ajo neto shkon në 12.213 lekë te reja. Ndërsa mësohet se socialistët janë në pritje të marrjes dhe të fondeve shtesë që kanë të bëjnë me bonuset për karburantet, telefonat, dietat dhe për pjesëmarrjen në Komisionet parlamentare. çdo deputet përfiton 17 mijë lekë të reja në muaj për telefonin celular. Pagesa për karburantin mund të bëhet në ditën e ardhshme, pasi çdo deputet ka një kuotë të caktuar lekësh sipas distancës së qarkut ku ato janë zgjedhur me Tiranën. Gjithashtu deputetët për çdo pjesëmarrëse në mbledhjet e Komisionit Parlamentar përfitojnë 2 mijë lekë shtesë. Nga kjo pagesë ekstra do të përfitojnë vetëm deputetët socialistë që kanë marrë pjesë në mbledhjet e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, pasi të tjerët nuk kanë marrë pjesë në asnjë mbledhje në komisionet e tjera. Bojkoti i tyre në këto komisione do t’i kushtojë atyre mos marrjen e kësaj pagese. b.h