Nuk i kthente borxhin,tetë plumba makinës
GJIROKASTER - Një i ri nga Gjirokastra ka qëlluar me automatik, automjetin e personit që i kishte marrë borxh 600 euro një vit më parë. Andrija Kadëna, 24 vjeç, në orët e vona të së shtunës, ka tronditur banorët e fshatit Valare rreth 2 km në lindje të qytetit të Gjirokastrës, teksa ka qëlluar me armë automatike në drejtim të automjetit Mercedez-Benz me targë GJ 0841 A, pronë e shtetasit F.C. Pas breshërisë automatike në drejtim të automjetit të parkuar pranë shtëpisë së të zotit të saj, banorët e zonës menjëherë kanë vënë në dijeni policinë, e cila i është vënë në ndjekje të riut. Kadëna mësohet se qarkullonte me një makinë me targa greke, tip “Volkswagen”, në drejtim të Gjirokastrës. Sapo ka konstatuar se e ndiqte policia, 26-vjeçari ka rritur shpejtësinë e makinës duke shkaktuar edhe aksident. Përplasja me një pemë anës rrugës si pasojë e shpejtësisë, ka lënë pa ndjenja dhe të plagosur Kadënën, i cili është transportuar nga forcat e policisë në drejtim të spitalit civil në Gjirokastër. Mjekët kanë garantuar se jeta e tij nuk ndodhet në rrezik. Nga kontrolli i automjetit me të cilin qarkullonte, grupi hetimor ka gjetur armën automatike model “56” që shtiu në drejtim të Mercedez-Benzit, së bashku me karikatorin dhe disa fishekë. Gjithashtu shkrehja e armës automatike dëmtoi pjesën e pasme të mjetit pronë e F.C. ku ishin fiksuar tetë vrima si pasojë e plumbave. Në cilësinë e provës materiale në vendngjarje janë sekuestruar 8 gëzhoja të cilat së bashku me armën automatike, do të përcillen për ekspertim në Laboratorin Kriminalistik në kryeqytet. Nga deklarimet fillestare të dhëna tek oficerët e policisë gjyqësore, mësohet se veprimi i Kadënas, ishte justifikuar me faktin se i dëmtuari i kishte borxh atij 600 euro të cilat ia kishte marrë një vit më parë dhe ende nuk ia kishte kthyer. p.n