E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, vret vjehrrin me levë



SHKODER/ RITVAN DIBRA

Qëllon për vdekje vjehrrin 42-vjeçari. Autori Mikel Zefi, i cili mendohet se është me probleme të shëndetit mendor, ka vrarë me levë hekuri 77-vjeçarin Shan Preçi.Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, në fshatin Ganjollë të komunës Gur i Zi në Shkodër. Pas arrestimit, Zefi ka pohuar para hetuesve se krimin e kishte kryer, pasi “një njeri shumë i rëndësishëm e kishte urdhëruar”. Këto kanë qenë fjalët e para, ndërsa nuk bëhen të ditura arsyet apo fjalët e fundit të debatit para se të qëllonte me levë hekuri vjehrrin e moshuar. Sipas burimeve të policisë së Shkodrës, autori ka shkuar në banesën e të vjehrrit, në të njëjtin fshat dhe dyshohet se mes tyre ka pasur një debat. Asnjë dëshmitar nuk ka pasur në ato momente, duke i lënë në mister momentet e fundit. Ndërsa ndodheshin në mes të oborrit të shtëpisë së Preçit, autori ka marrë një levë hekuri dhe me të ka qëlluar të moshuarin, në kokë e trup. Pasi e ka lënë të gjakosur e pa ndjenja Shan Preçin, autori është larguar nga banesa e vjehrrit. Për atë që kishte ndodhur ka vënë në dijeni një nip të gruas së tij, njëkohësisht dhe të viktimës. Ky i fundit, i alarmuar ka shkuar në shtëpinë e gjyshit, ku ka gjetur në gjendje të rëndë 77-vjeçarin. Me ndihmën e fqinjëve ka munduar që ta dërgojë Preçin në spitalin e Shkodrës, por disa orë më vonë ai ka ndërruar jetë, për shkak se plagët kanë qenë të mëdha. Policia e Shkodrës, pasi ka marrë njoftimin për krimin është nisur drejt fshatit Ganjollë. Forcat e saj shkuan në fshatin Ganjollë, në banesën e 42-vjeçarit. Ata e kanë gjetur brenda në shtëpi Mikel Zefin, i cili nuk ka bërë asnjë rezistencë. Gjatë kohës së ndalimit ai është marrë në pyetje për vrasjen e vjehrrit, por sipas burimeve të policisë nuk ka dhënë asnjë shkak logjik mbi rrethanat që e shtynë drejt krimit. E vetmja fjali që u pohua prej tij mbi krimin ishte: Kam marrë urdhër nga një njeri shumë i rëndësishëm”.
Sipas hetimeve paraprake dhe dëshmive të të afërmve të tij , mësohet se 42-vjeçari Zefi kishte filluar të shfaqte probleme të shëndetit mendor, veçanërisht pas një sëmundje të pashërueshme të vajzës së tij të vogël. E shoqja, bashkë me vajzën ndodhej në Itali, për të mjekuar vajzën. Ndërkohë që mësohet se Zefi kishte edhe 2 fëmijë e tjerë, (djem), të cilët vuanin nga probleme mendore të një zhvillimi të vonë. Familjarët e autorit të ngjarjes kanë pohuar se mes dhëndrit dhe vjehrrit të tij nuk ka pasur më parë probleme apo grindje. Autori është arrestuar për vrasje, ndërsa pritet që pas seancave të tjera të pyetjeve të rrëfehet mbi shkaqet e krimit.

Zefi, 3 fëmijë të sëmurë
Autori i ngjarjes së rëndë, Mikel Zefi, deri pak kohë më parë nuk ka pasur probleme të shëndetit mendor. Sipas të afërmve të tij, shenjat e para i janë shfaqur së fundi, kur mësoi se vajza e vetme, ishte e sëmurë me leuçemi. Ajo po kurohet jashtë vendit, ku e shoqëron e ëma, ndërsa babai qëndronte në shtëpi me dy djemtë. Ata kishin që në lindje probleme, për shkak të zhvillimit të vonë mendor. Të gjitha këto shqetësime duket se kanë qenë dhe shkaqet e problemit të 42-vjeçarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›