E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, dy të plagosur në buzuk



Etleva Delia

Një konflikt mes disa klientëve të një lokali nate me muzikë live, të cilët dyshohet se kanë qenë në gjendje të dehur kur u përfshinë në sherr me bodigardin, është mbyllur me 2 persona të plagosur dje në Tiranë. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në një buzuk pranë “9-katësheve”, tek kryqëzimi i “Rrugës së Barrikadave”, në Tiranë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, i ngritur në seksionin Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, mësohet se të plagosurit janë biznesmeni Arben Prenga, nga Laçi dhe banues në Tiranë, si dhe truproja e lokalit, Shpëtim Marku. Të njëjtat burime nga policia sqaruan dinamikën e ngjarjes, duke u nisur nga dëshmitë e personave të shoqëruar në polici menjëherë pas ngjarjes. Sipas të dhënave të policisë, fillimisht i plagosur ka mbetur truproja Shpëtim Marku, i cili dyshohet se është qëlluar me pistoletë nga klienti i lokalit, Arben Prenga. Pasi ka qëlluar truprojën e lokalit, edhe vetë Arben Prenga është plagosur, pasi është goditur më karrige në kokë nga bodigardët e tjerë të buzukut. Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes bodigardit Shpëtim Marku dhe biznesmenit Arben Prenga, i cili ndodhej në lokal prej më shumë se 5 orësh dhe dyshohet se ishte në gjendje të dehur. Shpëtim Marku i ka kërkuar Arben Prengës që të dilte bashkë me miqtë e tij nga lokali, pasi kishte ardhur orari për ta mbyllur. Sherri ka nisur për shkak se klientët kanë refuzuar të dalin jashtë.
KONFLIKTI
Rreth orës 05:30 të mëngjesit të djeshëm, në ambientet e lokalit me muzikë live ndodheshin dhjetëra klientë, kur ka nisur një debat mes bodigardit të lokalit dhe një prej personave që dëfrenin. Sipas deklaratave që dëshmitarët okularë kanë dhënë Drejtorinë e Policisë së Tiranës, truproja ka parë se në tavolinën ku ndodhej Arben Prenga dhe disa persona të tjerë, situata po dilte jashtë kontrollit, pasi të gjithë ishin në gjendje të dehur. Ndërhyrja e bodigardit Shpëtim Marku nuk është pritur mirë nga klientët, të cilët kanë nisur të thyejnë gotat dhe shishet që kishin në tavolinë, deri sa truproja ka kapur nga krahu biznesmenin Arben Prenga, në mënyrë që ta nxirrte jashtë. Në këtë moment, sipas dëshmitarëve, kanë ndërhyrë personat e tjerë që ndodheshin në tavolinë, duke u konfrontuar me truprojën. Sipas policisë, Arben Prenga ka dalë jashtë lokalit dhe në makinën e tij, të parkuar në anë të rrugës, ka marrë pistoletën duke u kthyer sërish brenda. Ai dyshohet se ka qëlluar me armë Shpëtim Markun, por është sulmuar menjëherë nga bodigardët e tjerë të lokalit, të cilët e kanë goditur me karrige në kokë, në mënyrë që t’i hiqnin armën nga dora. Në këtë moment Shpëtim Marku është larguar nga vendngjarja për t’i shpëtuar ballafaqimit me policinë. Në vendin e krimit kanë mbërritur forcat e policisë së Komisariatit nr.3 dhe të Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit. Policia e ka gjetur lokalin gati të boshatisur, pasi dhjetëra klientë janë larguar pas të shtënave me armë. Në polici janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje disa dëshmitarë të tjerë, ndërsa i plagosuri Arben Prenga është dërguar në Spitalin Ushtarak dhe sipas mjekëve, ka disa fraktura në kokë. Disa orë më pas policia arrestoi edhe bodigardin e buzukut, Shpëtim Marku.

Biznesmeni i plagosur, vëllai i deputetit
TIRANE - Arben Prenga, personi që dyshohet të ketë qëlluar me armë truprojën e lokalit të natës dje në mëngjes në Tiranë, është vëllai i deputetit socialist, Armando Prenga, i zgjedhur në qarkun e Lezhës dhe që përfaqëson në Kuvend zonën e Laçit. Arben Prenga, i cili ka mbetur edhe vetë i plagosur me mjete të forta në kokë, është arrestuar nga policia e Tiranës me akuzën e “plagosjes së rëndë me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”, akuza që i janë komunikuar në Spitalin Ushtarak, ku po merr mjekimin. Sipas të dhënave nga policia, Arben Prenga nga Laçi dhe banues në Tiranë është pronari i një lokali të njohur me muzikë live në kryeqytet, që ndodhet në rrugën e Kavajës. Gjatë verifikimeve në polici, ai nuk rezulton të jetë i skeduar më parë për ndonjë vepër penale. Sipas policisë, në ambientet e lokalit Prenga ka qenë i paarmatosur, por pistoletën, të cilën e kishte pa leje, e mbante në makinën e parkuar pranë lokalit.

Truproja: Prenga bëri incidente edhe më parë

TIRANE - Fillimisht truproja i plagosur me armë zjarri në buzuk ditën e djeshme është përpjekur të largohet nga vendi i ngjarjes dhe të mjekohej privatisht, për t’i shpëtuar përballjes me policinë. Kur gjendja e tij është përkeqësuar, Shpëtim Marku duket se është detyruar që t’u drejtohej bluzave të bardha në Spitalit Ushtarak, ku edhe është arrestuar nga policia. Sipas mjekëve, gjendja e tij është përmirësuar, duke e kaluar kështu rrezikun për jetën. Grupi hetimor ka arritur dje të marrë dëshminë paraprake të rojës së buzukut në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje në mëngjes. Në deklaratën që ai ka dhënë për oficerët e policisë, mësohet se ka shpjeguar arsyet se përse sipas tij, konflikti me klientin e lokalit shkoi deri në përdorimin e armës. “Me atë njeri kemi pasur edhe më parë probleme të tilla, sepse qëndron gjatë në lokal, duke pirë me orë të tëra deri sa gdhin dhe kërkon që të shkatërrojë ambientin, duke larguar edhe klientët tjerë”, mësohet të jetë shprehur i plagosuri Shpëtim Marku. Më tej ai ka shtuar se në rastet e mëparshme, situatat e ngjashme që janë krijuar nga i njëjti person, janë zgjidhur vetëm nga ndërhyrja e vetë pronarit të lokalit, i cili e ka bindur klientin që të largohet. Sipas Shpëtim Markut, ngjarja e djeshme kaloi shumë shpejt në konflikt, pasi Arben Prenga dhe miqtë e tij kishin disa orë që pinin dhe të dehur, nuk ishin në gjendje të bisedonin. Sipas deklarimeve të truprojës Shpëtim Marku, ai ka pretenduar se ka ndërhyrë për të shmangur ndonjë konflikt mes klientëve, pasi situata në lokal po bëhej kritike. Ai ka deklaruar se e ka kapur për krahu klientin, duke thënë se nuk e ka ofenduar dhe as nuk e ka goditur. Sipas tij, kanë qenë kolegët e tjerë roja në lokal, ata që e kanë goditur Arben Prengën me karrige.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›