Mediu: Ne ofrojmë një Shqipëri të sigurt
Turi i takimeve të kreut republikan, Fatmir Mediu, ka vijuar në Peqin. I shoqëruar nga anëtarë të kryesisë së kësaj force, ai ishte i pranishëm në një takim elektoral në këtë qytet. Gjatë fjalës së tij, kreu republikan tha se zgjedhjet e ardhshme do të jenë zgjedhjet më transparente dhe më të rëndësishme të këtyre 18 viteve. Ai shprehu bindjen se shqiptarët do të votojnë koalicionin e djathtë, për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. "Në vitin ‘90 ne u bashkuam me njëri-tjetrin në dy besime të mëdha. Në besimin në Zot në radhë të parë, sepse Zoti na tregon se çfarë është e mirë dhe e keqe, si të duam dhe të respektojmë njëri-tjetrin. Por u bashkuam edhe nën një besim tjetër, në besimin te liria, në besimin dhe vizionin tonë për të ardhmen, për t‘u bashkuar me njëri-tjetrin nën këto dy besime të mëdha, për të ndërtuar Shqipërinë që duam, për të ndërtuar kombin shqiptar që u përket shqiptarëve dhe nesër duhet të jetë pjesë e BE-së", tha Mediu. Duke kërkuar votën edhe për një mandat të dytë, Mediu ka deklaruar se "gjatë mandatit tonë të dytë ne do të kërkojmë me ngulm zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronës, pasi është detyrimi ynë i parë dhe i përhershëm si republikanë përballë së drejtës. Duke votuar Partinë Republikane, ne do të sigurojmë një mandat të dytë për të ardhmen tonë dhe projektet tona të përbashkëta, për standardet evropiane, për reforma të tjera të suksesshme, për investime të tjera në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe çdo sektor tjetër të rëndësishëm". Mediu ka theksuar se shqiptarët duhet ta votojnë PR-në për një jetë dhe një të ardhme të sigurt për të gjithë shqiptarët.