Trepça ’89 ia mësyn Maliqit e Karahodës
Pas zgjedhjes së kryesisë së re, Trepça ’89 po punon intensivisht rreth përforcimeve për edicionin e ri.
Klubi mitrovicas po mundohet ta bindë Behar Maliqin që ta veshë fanellën bardhegjelbër. Kohë më parë, reprezentuesi kosovar ka bërë kërkesë në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) për ta shkëputur kontratën me Prishtinën, pasi sipas tij, bardhekaltrit nuk i kanë kryer obligimet ndaj tij për tre muaj.
Ndërkohë, burime të gazetës Express brenda Trepçës ’89, kanë bërë të ditur se kjo skuadër tashmë ia ka bërë një ofertë joshëse mesfushorit. Por, Maliqi nuk është objektivi i vetëm i ‘Xehetarëve’. Ata ia kanë mësyrë edhe Fatih Karahodës, sepse transferimi i tij në Vëllaznim ende nuk është kompletuar, siç kishin konfirmuar drejtuesit e klubit gjakovar.
Burime të gazetës Express bëjnë të ditur se gjakovarët ende nuk e kanë bindur sulmuesin për të nënshkruar kontratë me klubin e tyre. Andaj, sipas këtyre burimeve, Trepça ’89 po i bën konkurrencë të fortë Vëllaznimit për t’i siguruar shërbimet e futbollistit.
Gjithnjë sipas këtyre burimeve, krahas Vëllaznimit, edhe Trepça ’89 ia ka bërë një ofertë joshëse Karahodës, e cila mund ta nxitë lojtarin që ta lërë Gjakovën dhe të udhëtojë drejt stadiumit ‘Riza Lushta’ në Mitrovicë. Karahoda javë më parë e kishte braktisur Lirinë, pasi prizrenasit nuk i kishin kryer të gjitha obligimet ndaj tij.
Deri më tani, ‘xehetarët’ i kanë siguruar shërbimet e Ilir Nallbanit, Florent Sejdiut, Visar Shkupollit, Ilir Izmakut e Liridon Kukajt.