Nuk ka fonde, Forcat Speciale pesë muaj pa dietat e rretheve
TIRANE - Prej rreth pesë muajsh Forcat Speciale të Policisë së Shtetit ende nuk kanë marrë paratë e dietave, për shërbime jashtë zonës (kryesisht operacionet në rrethe) dhe angazhime të tjera, në ndeshje sportive apo aktivitete artistike. Rreth 163 efektiva të reparteve FNSH dhe RENEA, të cilët presupozohet se janë më të privilegjuarit në këtë drejtim, prej muajit gusht të vitit të kaluar, nuk kanë marrë asnjë qindarkë përveç pagës bazë. Edhe pse të sanksionuara me ligj, shërbimet jashtë zonës kompensohen me dieta, e cila zakonisht merret pas 3 muajsh, jo përpara nisjes me shërbim, ky afat tashmë ka kaluar, madje edhe 2 muaj më shumë dhe fondet ende nuk janë të disponueshme. Burime nga policia thonë se në disa raste efektivat që detyrohen të shkojnë nga Tirana në rrethe të ndryshme të vendit për operacione apo angazhime, në disa raste edhe shpenzimet e udhëtimeve (karburanti i automjeteve) i kanë mbuluar privatisht ose me fondet rezervë. Ky është një problem që përfaqësues të Forcave Speciale e kanë ngritur edhe në Sindikatën e Punonjësve të Policisë së Shtetit. Nga ana tjetër, drejtues të lartë të policisë thanë dje për gazetën se ky është një problem që do të zgjidhet shumë shpejt, por që është shkaktuar nga bllokimi i Thesarit të Shtetit në muajin dhjetor 2009. Sipas burimeve nga policia mësohet se në janar, kur situata filloi të normalizohej, Ministria e Financave zhbllokoi disa nga fondet që janë të parashikuara në buxhetin e Policisë së Shtetit, por prapambetje vazhdon të ketë ende. Pas zhbllokimit të Thesarit, fillimisht iu dha prioritet fondeve të pensioneve, të sigurimeve, shpërblimit për festat e fundvitit dhe dietave për vitin 2010, por pjesa e prapambetur do t’iu ndahet punonjësve të Forcave Speciale pa kaluar 3-mujori i dytë. Gjithashtu këto vonesa, drejtuesit e Policisë së Shtetit i arsyetojnë edhe me përmbytjet që ndodhën në këtë fillim viti në Shkodër e Lezhë, kur policia kaloi në gjendje gatishmërie për t’iu ardhur në ndihmë banorëve. Punonjësit e policisë ende nuk kanë marrë shpërblimet për angazhimin e tyre në ndeshje, koncerte etj, por të gjitha këto shërbime janë detyruar t’i kryejnë “falas”. Me një përllogaritje të thjeshtë matematikore, nga 544 efektiva të FNSH-së së Tiranës, Shkodrës, Fierit dhe RENEA-s, minimalisht 30 për qind (ose 163 efektiva) që janë angazhuar jashtë zonës dhe shërbime të tjera, ende nuk kanë marrë paratë e dietave të tyre, siç e parashikon ligji.