Grabisin banesat, kapen tre fëmijë
TIRANE - Policia e Komisariatit nr.5 të Tiranës, ka ndaluar dy ditë më parë 3 të mitur, të cilët janë kapur duke vjedhur në një banesë. Të miturit janë kapur në flagrancë në Bathore pas denoncimit të një personi, i cili i kishte pikasur duke i vjedhur shtëpinë. Burime nga policia sqaruan se të ndaluarit janë personat me iniciale D.D., 14 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Bathore, J.N., 14 vjeç, lindur dhe banues në Bathore dhe R.ç., 14 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Bathore. Kapja e tyre u bë pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të vjedhin banesën në pronësi të një personi, të ndodhur në Bathore. Nga verifikimet e kryera nga specialistët e Seksionit të Krimeve Kundër Pronës, rezulton se këta të mitur janë autorë të disa vjedhjeje banesash të ndodhura në zonën e Bathores dhe Paskuqanit. Pasi dhanë deklarimet e tyre, 3 të miturit e ndaluar lanë qelinë e Komisariatit nr.5, për t’u proceduar në gjendje të lirë për shkak të moshës. Materialet i kaluan prokurorisë, për veprat penale të “Vjedhjes së mbetur në tentativë” dhe “Vjedhjes” në bashkëpunim.