Kriza, Rama-Berisha, raund i dytë negociatash
Të dyja partitë konfirmojnë mbërritjen e një ftese nga Parlamenti Europian për një raund të dytë dhe përfundimtar
TIRANË- Dy liderët kryesorë të policitikës shqiptare, Edi Rama dhe Sali Berisha do të takohen shumë shpejt së bashku në një vend jashtë Shqipërisë, me shumë gjasa në Strasburg. Krerët e Parlamentit Europian kanë sjellë dje në Tiranë një ftesë të dytë për një takim që do ti japë zgjidhjen përfundimtare krizës politike në vend.
Pothuajse një muaj më parë krerët e politikës shqiptare u takuan në Strasburg dhe ndërkombëtarët lanë afate që duheshin zbatuar por kjo gjë nuk ndodhi.
Që nga ajo ditë mes Ramës dhe Berishës nuk ka pasur asnjë kontakt, përveç komunikimit në distancë përmes medias. Rama është shprehur hapur pro ofertës së bërë nga ndërkombëtarët për hetimin e zgjedhjeve dhe ka deklaruar se është gati që ta firmosë. Por Berisha është treguar skeptik duke thënë se nuk ka asnjë ofertë, edhe pse ajo është pranuar zyrtarisht nga krerët e Parlamentit Europian.
Burime nga të dyja partitë pohuan dje mbërritjen e ftesës për takim por nuk dhanë detaje në lidhje me vendin dhe datën që do të zhvillohet takimi. Sipas burimeve të PD-së, takimi ka shumë pak gjasa që të zhvillohet sot. Stafi i Berishës pohoi mbrëmjen e djeshme se ata nuk kanë prerë ende asnjë biletë avioni dhe se kryeministri sot do të jetë në mbledhjen e qeverisë.
Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i pyetur se nëse ka një ftesë për një tjetër takim të nivelit të lartë në Bruksel, Rama tha se "deri në mesditë nuk ka asnjë konfirmim të kësaj natyre". Por, në orët e pasdites ishin ndërkombëtarët ata që lëvizën fijet e lojës duke përgatitur një raund tjetër negociatash.
Nga ana tjetër, mediat ndërkombëtare në vëmendjen e kushtuar krizës politike në Shqipëri theksojnë gjithmonë e më shumë takimin midis Ramës dhe Berishës. Duke iu referuar burimeve të ambasadës së Spanjës në Tiranë, DËELLE pohon se pritet që të enjten, më 17 qershor, BE të dalë me një deklaratë të formës së prerë lidhur me zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.
Ndërkohë BBC thotë se me interes priten reagimet e krerëve të politikës kryeministrit Sali Berisha e kryetarit të PS-së Edi Rama, të cilët duket se po përgatiten për një tjetër takim midis tyre, takim i cili mund të shënojë dhe fundin e krizës politike dhjetëmujore në Shqipëri.