E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk ka kushtëzime

Komuniteti malazez që jeton në Kosovë nuk pretendon dhe nuk vë asnjë lloj kushti për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Malit të Zi dhe Kosovës.

Përfaqësuesit e këtij komuniteti në Kosovë kanë demantuar shkrimet në disa media të Malit të Zi, sipas të cilave ky komunitet është përjashtuar nga Këshilli Konsultativ për Komunitete (KKK), i cili funksionon pranë Presidencës së Kosovës.

Përfaqësuesja e malazezëve në Këshill, Snezana Karadzic ka theksuar se pas ndërrimit të përfaqësuesit në Këshillin Konsultativ, Slobodan Vujicic, kanë përfunduar edhe kushtëzimet për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

“Pas kërkesës së Vujacicit, i cili ka kërkuar që të pezullohen të gjitha aktivitetet diplomatike mes Kosovës dhe Malit të Zi, ne si përfaqësues të bashkësisë malazeze jemi deklaruar për mbështetje të plotë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve duke besuar se ajo diplomaci do të vendoset”.

Ajo po ashtu beson se çështja e malazezëve kosovarë është e zgjidhur edhe në Kushtetutën e Kosovës.

Karadzic ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi e ka dërguar demantin ndaj këtyre spekulimeve mediale edhe te Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës.
Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Ramë Manaj ka shprehur gatishmërinë për komunikim dhe bashkëpunim me komunitetin malazez.

Manaj ka thënë se përfaqësuesit e komunitetit malazez demantojnë të pavërtetat e shpifura në disa media të Malit të Zi.

“Qëllimi është për të demantuar një të pavërtetë që është plasuar në disa media dhe natyrisht për të dëshmuar gatishmërinë e komunikimit, bashkëpunimit në nivel institucional, edhe atë qendror, edhe atë lokal, edhe me përfaqësuesit legjitimë të këtij komuniteti”, ka thënë Manaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›