E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e verës, tradita e festimit

15/03/2005  Dita e verës festohet në 14 mars dhe zgjat dy ditë. Kjo festë fillon që pas dreke të ditës së parë. Gjithë njerëzit, po sidomos fëmijët dalin nëpër fusha ku këndojnë, lozin valle, mbledhin lule, djemtë mbledhin dhe dëllinja. Lulet vajzat i vënë nëpër vrimat e murit, nëpër dritaret e nëpër portat. Gjithë pasdrekja shkon duke shëtitur nëpër fusha. Në mbremje ndezin dëllinja (bëjnë dumenë). Dumenë e ndezin rreth shtëpisë ose nëpër livadhet pranë, fëmijët hidhen përsipër zjarrit, tundin edhe zile.

Në Kosovë të Përmetit darkën e Ditës së Verës bëjnë gati kuleçët. Në mëngjes pa gdhirë nëna vete në krua, lag kulaçin dhe kthehet me dorën plot me ujë kroi e me barë të njomë. Me të hyrë në shtëpi sperkat çdo qoshe që të mos ketë pleshta e cimka gjatë verës. Pastaj u njom fytyrën gjithë njerëzve të shtëpisë që të mos i zënë ethet dhe uron për shumë vjet.

Në Opar fëmijët kur ngrihen në mëngjes prekin me dorë nga një copë hekur se e kanë për mirë. Ditën e Verës ngrihen të gjithë shumë shpejt dhe duke marrë me vete kuleçë vezë, sheqer, mjaltë dhe venë në krua që të lahen. Në krua thonë tri herë "mirëmëngjes o krua, lashë të ligat e mora të mirat". Edhe kulaçin e lagin tri herë dhe secili e kafshon tri herë, gjithashtu edhe vezën.Konica: Kjo është festa e luleve

"Kjo është një festë ku stërgjyshërit tanë, kur Krishtërimi s'kishte lindur ende, kremtonin me romakët dhe grekët e vjetër perëndinë e luleve dhe të shelgjeve. Kjo ishte një festë ku të parët tanë rrethonin me verore degët e shelgjeve, të thanave e dëllinjave dhe mbushnin shtëpitë e tyre me lulet e dafinave dhe të gjithë shelgjeve të bekuar", thotë Faik Konica, cili përshkruan hollësisht ç'është Festa e Verës apo, ndryshe, Festa e Luleve në një nga veprat e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›