Nuk ka paqe midis MASH-it dhe rektorëve
Një letër e bardhë shkruar mbi të zezë dërguar nga Ministria e Arsimit për ndryshimin e ligjit në arsimin e lartë pret prej dy ditësh të miratohet nga Kryeministri, por ai ende nuk ka firmosur. Propozimi i Ministrisë së Arsimit kërkon të mos u jepet mundësia rektorëve dhe dekanëve të zgjedhin apo të zgjidhen. Ndërkohë, dy javë pasi Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë ligjin që më parë ish miratuar nga Ministria e Arsimit, tashmë kjo e fundit ka bërë një ndryshim: “Autoritetet drejtuese kanë të drejtë të zgjidhen vetëm një herë”. Ndryshimi bëhet për shfuqizimin e nenit 64, i cili parashikonte që drejtuesit aktualë që kanë kaluar një mandat dhe garojnë për të dytin duhet të zgjidhen vetëm nëse marrin 60 për qind të votave, ndërsa një fillestar fiton me 50+1 për qind të votave. Ndryshimi i fundit i ligjit nga Ministri Pollo del hapur kundër drejtuesve aktualë të universiteteve. Rektorët dhe dekanët kanë bërë një betejë të vazhdueshme për të mos lejuar personalizimin e këtij ligji. Rektori i Universitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar nenet 23 dhe 64 të ligjit të arsimit të lartë. “Ato e cenojnë rëndë autonominë e universiteteve dhe do të kërkojmë që të mos zbatohen asnjëherë në arsimin e lartë”, - është shprehur ai.