E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr në lokal, qëllohet me thikë 27-vjeçari

Një sherr i momentit ka qenë duke i marrë jetën një të riu në Tiranë, ndërkohë që policia ka mundur të arrestojë vetëm një nga autorët e ngjarjes. Burimet policore bënë të ditur se pasditen e djeshme u bë arrestimi i Jetmir Vatnikajt, 22 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues te godina nr. 1, në Institutin Bujqësor të Kamzës. Sipas policisë, arrestimi i tij u bë pasi dy net më parë, rreth orës 23:30, te kthesa e Kamzës, në ambientet e lokal "Harmonia", në bashkëpunim me një person tjetër ende të paidentifikuar, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë tentuar të vrasin me thikë, Artur Pjetërnikën, 27 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë. I dëmtuari është dërguar në spital dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale ndodhet jashtë rrezikut për jetën. U kryen veprimet hetimore, por nga ana e policisë nuk është bërë e mundur gjetja e armës së krimit thikë dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›