E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rezultatet e progres-raportit, në 10 tetor ora 19.30”

04-10-2012 / Gazeta 55

Ettore Sequi

Kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi u shpreh dje se përgjigjen e tij për progres - raportin e BE-së, për marrjen e statusit do ta japë më datën 10 tetor, ditë kur të bëhet publik edhe progres raporti i KE-së.
Deklarata e ambasadorit Sequi është bërë pas përfundimit të takimit me kreun e PS-së Edi Rama ku ai u pyet nëse ka sinjale pozitive nga Brukseli për marrjen e statusit të kandidatit nga Shqipëria.
“Ju do të keni përgjigjen time vetëm në datën 10 tetor ku në orën 19:30 do të jem për të dhënë rezultatet e raportit”, theksoi Sequi.
Lidhur me takimin me kryesocialistin Rama, ambasadori Sequi sqaroi se ishte si zakonisht një takim i ngrohtë ndërsa u shpreh optimist për gjetjen e zgjidhjeve nga palët për çështjet kryesore.
“Ne diskutuam së bashku çështjet kryesore që kanë të bëjnë me integrimin e vendit në BE. Rama më informoi për çështjen e qarkut të Fier dhe shpresoj që një zgjidhje të gjendet së shpejti, jo vetëm për këtë por edhe për të tjerat”, tha ai.
Ambasadori Sequi nuk ka dashur as të komentojë një pjesë të raportit për vendin tonë publikuar nga agjencia e lajmeve ANSA, sipas të cilës vendi do e marrë statusin, por me një kusht. “Kam tre gjëra për të thënë; po është një agjenci e rëndësishme. Por të flasim teknikisht që unë nuk jam italian, pasi përfaqësoj BE, së dyti duhet ta dini që unë nuk e kam zakon të bëj komente për raporte të nxjerra nga agjenci të ndryshme lajmesh. Do jem i gatshëm të bëj komente në datën 10 tetor kur të dalë raporti i progresit”, tha më tej ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›