E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ka treg shitje, kalben mollët

KORCE-Një sasi e konsiderueshme mollësh të fermerëve të Korçës po rrezikon të kalben për mungesë tregu. Ndërkohë, prodhuesit kërkojnë nga shteti politika më favorizuese për prodhimet e tyre. Sipas specialistëve, ky vit qe i mbarë për fermerët e Korçës për sa i përket prodhimit të mollëve. Pohohet se fermerët e këtij rrethi kanë grumbulluar këtë vit në parcelat e tyre afro tre herë më shumë se një vit më parë.
"Unë kam prodhuar sivjet 140 kv mollë, por deri tani nuk kam shitur as 10 kv. Ashtu si unë, edhe bashkëfshatarët e mi kemi kërkuar tregje për t'i shitur, por po na sfidojnë ngarkesat me mollë që vijnë nga Greqia e Maqedonia. Edhe ato pak kilogram që shesim, i shesim lirë sa nuk ja vlejnë. Vitin që shkoi, mua mu kalb gjysma e prodhimit. Sivjet që viti qe i mbarë, rrezikohet që nga mungesa e tregut, mua e shumë të tjerëve të na shkoj mundimi kot", - shton 60-vjeçari A. Memetllari, fermer nga Korça.
Për këtë situatë, fermerët kërkojnë ndihmën e strukturave përkatëse të shtetit. Nisur nga klima dhe leverdia, vitet e fundit në Korçë është investuar shumë për kulturën e mollës. "Sipërfaqja e mollës nga viti në vit ka ardhur duke u shtuar. Sot në shkallë qarku, sipërfaqja e mollës arrin në 2300 ha. Veçanërisht në rrethin e Devollit, në Dvoran, Zvirinë e Lumalas të Korçës, Leshnicë të Pogradecit e Mollaj të Kolonjës. Ky frut është ndër burimet kryesore të të ardhurave për fermerët", - pohon Ardian Maho, titullar i Bujqësisë.

(d.b.GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›