"Bashkimi për Ndryshim" regjistrohet në KQZ, ja marrëveshja
Partitë e koalicionit autorizojnë Kryetarin e PS-së që të zgjerojë koalicionin me parti të tjera
TIRANË- Menjëherë pas vendimit të PBDNJ-së, Partia Socialiste regjistroi dje pasdite në KQZ koalicionin "Bashkimi për Ndryshim". Ndonëse KQZ-ja e ka shtyrë edhe një ditë afatin e regjistrimit të koalicioneve, PS-ja ka respektuar afatin e parashikuar në Kodin Zgjedhor, duke u dhënë fund negociatave me partitë e opozitës, por edhe me PBDNJ-në.
Në marrëveshjen përfundimtare të nënshkruar mes krerëve të PS-së, PSD-së, PDS-së, G99-ës dhe PBDNJ-së, thuhet se Kryetari i PS-së, Edi Rama, gëzon të drejtën për të caktuar vëzhgues në emër të koalicionit, në të gjitha nivelet e komisioneve zgjedhore të zgjedhjeve.
Në marrëveshje citohet, gjithashtu, se koalicioni do të ketë si simbol politik të tij një trëndafil të kuq me gjethe të gjelbër, të mbajtur në një dorë të shtrirë të hapur. Në krah të kësaj logoje do të shkruhet me të bardha koalicioni, "Bashkimi për Ndryshim".
Anëtarët e këtij koalicioni angazhohen që pas fitores në zgjedhje të kontribuojnë në të gjitha nivelet e qeverisjes, në bazë të peshës specifike elektorale të secilit subjekt dhe gjithmonë në frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit për realizimin e filozofisë politike.
Partitë anëtare të këtij koalicioni kanë autorizuar Kryetarin e PS-së, Edi Rama, që të zgjerojë koalicionin edhe me anëtarë të tjerë, bazuar në konsultimet paraprake të nënshkruesve të koalicionit. Në themel, këto parti duhet të kenë të njëjtën filozofi politike, që kërkojnë një politikë të re në vend.
Berisha emëron Alimadhin në postin e zv/ministrit, ndërsa Tabaku zëvendëson Bushatin
PD e emërton koalicionin "Aleanca e Ndryshimit"
TIRANË- Emri i koalicionit të kryesuar nga PD-ja, në fletën e votimit, do të jetë, "Aleanca e Ndryshimit". Partia Demokratike ka vendosur dje pasdite që ta emërojë kështu koalicionin, edhe pse është thuajse njësoj me emrin e koalicionit të majtë, "Bashkimi për Ndryshim".
Por, nëse PS-ja kërkon të realizojë këtë bashkim për të sjellë ndryshim, PD-ja, përmes emrit të koalicionit, kërkon të tregojë se ndryshimi është bërë tashmë. Megjithatë, deri mbrëmë vonë, PD-ja ende nuk e kishte regjistruar koalicionin pranë KQZ-së.
Ndërkohë, Kryeministri Sali Berisha ka vendosur që të respektojë marrëveshjen e nënshkruar me PBKD-në pak ditë më parë. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Kryeministri Berisha emëroi në postin e zv/ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, Kryetarin e Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat, Adriatik Alimadhi.
Alimadhi do të jetë zv/ministri i tretë në Ministrinë e Transporteve. Po dje, Këshilli i Ministrave vendosi emërimin si zv/ministre të Integrimit, Jorida Tabaku, e cila mësohet se vjen nga radhët e Forumit të PD-së.
Tabaku do të zëvendësojë Zef Bushatin, i cili prej një muaji është emëruar zv/ambasador në Itali, detyrë të cilën ai e kërkonte prej kohësh në takimet e zhvilluara me Kryeministrin Berisha.
"Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr. 9000, datë 30.1.2003, "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave", me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi Jorida Tabakun në postin e zëvendësministres së Integrimit. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë",- thuhet në vendimin e djeshëm të qeverisë.