Nuk kemi listë personash të kërkuar nga Italia
TIRANE - Pas publikimit në një gazetë të përditshme italiane, se në Shqipëri fshihen disa persona të kërkuar nga Italia për trafik droge, kanë ardhur edhe reagimet e para, jo vetëm nga Ministria e Drejtësisë, por edhe nga Policia e Shtetit. Në një kohë kur ministri i Drejtësisë Alibeaj, ka deklaruar se shqiptarët e kërkuar nga drejtësia italiane nuk ekstradohen pasi nuk ka një marrëveshje të tillë, policia ka shkuar më tej, duke bërë të ditur se shteti fqinj nuk ka sjellë në zyrat e Interpol-Tiranës një listë me emrat konkretë për personat që pretendohet se kërkohen për trafik droge. Burime nga Policia e Shtetit bënë të ditur se paraprakisht janë rreth 150 shqiptarë që dyshohet se kanë kryer vepra të ndryshme penale në Itali dhe që mendohet se ndodhen në vendin tonë. Disa prej tyre janë të arrestuar për vepra penale që kanë kryer në Shqipëri, ndërsa shumica e tyre janë të lirë. Por sipas të njëjtave burime bëhet e ditur se lista me emrat e personave në kërkim nuk ndodhet në zyrat e policisë por në prokurori. Prokuroria nga ana e saj pohoi se emrat i bëhen me dije Interpolit dhe ky institucion lajmërohet vetëm në rast transferimi të dosjeve apo procedimeve penale.