Tre aksidente në Tiranë, plagoset ish-kampioni i çiklizmit Tafilica
TIRANE - Përgjaken rrugët e kryeqytetit. Tri aksidente me pasojë vdekjeje ndodhën vetëm brenda 24 orëve të fundit në Tiranë. Në orët e pasdites së djeshme një përplasje motorash ka shkaktuar një të vdekur dhe një të plagosur, pranë Ministrisë së Mjedisit. Shkëlqim Bomi duke drejtuar një motor “Yamaha” të zi, pa targa, është përplasur me një tjetër motor me targa TR 628 F që drejtohej nga Agron Tafilica, ish-kampion i çiklizmit. Përplasja ka qenë fatale për Shkëlqim Bomin, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Së bashku me Bomin në motor ishte dhe një pasagjer që ka pësuar dëmtime të lehta. Ndërkohë ish-çiklisti Tafilica është jashtë rrezikut për jetën. Burime nga policia bënë të ditur se aksidenti i parë ka ndodhur në Kodër Kamëz, kur një motokarro me targë TR 3166 R, ka përplasur për vdekje kalimtaren Hajrie Berti, 66 vjeçe. Policia ka mundur të ndalojë dhe të shoqërojë në polici drejtuesin e automjetit, 63-vjeçarin Ismail Bira. Më pas një aksident tjetër me vdekje ka ndodhur në afërsi të ish-Bllokut, përballë kullës shumëkatëshe. Një tjetër kalimtar ka humbur jetën pasi është përplasur nga një makinë, e cila është larguar nga vendi i ngjarjes dhe policia ende nuk ka mundur të identifikojë drejtuesin e mjetit. Në këtë aksident ka mbetur i vdekur 26-vjeçari Sajmir Kamberi. Agron Tafilica që mbeti dje i plagosur në aksident, mësohet se është një nga figurat më të njohura të çiklizmit të viteve `70 në Shqipëri. Për shumë vite ai ka marrë pjesë në aktivitete sportive kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërsa ka qenë pjesë e formacionit sportiv të ekipit të “Dinamos”.