Vodhi gjobat, burg financieres
Fatos Mahmutaj
Dënohet me burgim ish-financierja e Policisë Rrugore e akuzuar për vjedhjen e gjobave të policisë. Gjykata e Tiranës vendosi tre ditë më parë të dënonte me 3 vjet burg dhe 6 milionë lekë gjobë ekonomisten Majlinda Cina, pasi e gjeti fajtore atë për akuzat “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “falsifikimit të dokumenteve”. Pranimi i gjykimit të shkurtuar në këtë proces bëri që dënimeve t’u hiqej një e treta, ndërkohë rrezikshmëria e ulët shoqërore e të pandehurës bëri që dënimi për të pezullohej me kusht. E thënë ndryshe, Cina është gjetur fajtore për abuzimin me rreth 22 milionë lekë të vjetra me pagat e policëve dhe shumat që ata fitonin nga gjobat ndaj mjeteve. Zbulimi i saj është bëra pas një kallëzimi që ka dërguar në prokurori Ministra e Brendshme, nisur nga përfundimet e auditivit të kryer në Policinë Rrugore, që ka gjetur me shkelje ekonomisten për gjatë gjithë vitit 2006 deri në muajin mars 2007. Sipas tyre, është vërejtur mospërputhje e të dhënave në dokumentet e përpiluara nga Cina për kontabilizimin e të ardhurave, ku janë konstatuar mospërputhje të vlerave në lekë që u takonin për të marrë efektivave. Në kopjen e përmbledhëses, që ndodhet në Komisariat dhe që është vlera reale, shuma është më e vogël se ajo e pasqyruar në dokumentin që u gjet në bankë dhe që ishte shuma faktike e tërhequr nga policët. Audituesit kanë konstatuar se ishin tërhequr nga buxheti i shtetit në mënyrë periodike vlera më tepër se totali i shumës që nevojitej për të paguar efektivat dhe që ishte në fakt shuma e të gjitha pagesave të përfshira në listëpagesën përmbledhëse. Kjo diferencë e tërhequr më tepër nga shteti, në të gjitha rastet rezulton t’i jetë shtuar llogarisë së Cinës. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me vlerën në lekë që i është pakësuar efektivave. Po kështu është vërejtur rritje të masës së shpërblimit të Cinës. Gjykata pohoi se nga hetimet ishte vërtetuar se Cina ka përfituar nga buxheti i shtetit 165.800 lekë dhe ndaj policëve 660.772 lekë të reja. Sipas gjykatës përfundimet e aktit të ekspertimit përputhen me sintezën e hetimit nxjerrë nga kryerja e një tërësie veprimesh hetimore, midis të cilave marrja e deklarimeve, kryerja e sekuestrimit, këqyrja e dokumentacionit bankar. Duke kryer verifikimet dhe krahasimet përkatëse nga prokuroria ka rezultuar se e dënuara ka bërë zbritje në vlerë të pagës së 80 punonjësve në periudha të ndryshme të vitit 2006. Pas kësaj ajo ka rritur artificialisht shumën totale në vlerë të listëpagesës origjinale në krahasim me vlerën reale dhe kalimin e saj në rritje në vlerë të pagës neto të vetvetes, të ndryshuar në listëpagesën e dorëzuar në bankë. Po kështu, Cina ka rritur për vetveten edhe vlerën e pagës neto në listëpagesat bankare.