E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani, vendim i 3 personave

Ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu

Ambasadori i SHBA deklaron qëndrimin e tij pas zgjedhjes së Presidentit nga maxhoranca.

Arvizu: Zgjedhje e Berishës, Metës e Ramës. Shans i humbur.

Ambasadori i amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, deklaroi dje se zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës Bujar Nishani u diktua vetëm nga vullneti i tre personave, Kryeministrit Sali Berisha, kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.
Diplomati i SHBA-ve, në një intervistë në Top Channel në emisionin e mëngjesit VVake Up, theksoi se zgjedhja e kreut të shteti nuk mori parasysh interesat dhe kërkesat e qytetarëve, por u realizua nga vendimet e maxhorancës dhe nga qëndrimi i kryetarit të opozitës. Ambasadori Arvizu e quajti procesin kushtetues zgjedhjen e Presidentit, por sipas tij fakti që u zgjodh nga një numër i vogël personash, la një shije boshllëku në opinionin e gjerë. Le të marrim rastin e zgjedhjes së Presidentit, që ka ndodhur dy javë më parë. Është zhvilluar në përputhje me Kushtetutën dhe në sistemin shqiptar nuk është një zgjedhje e drejtpërdrejtë popullore, por rezultati është përcaktuar nga vendimet ose mosvendimet e bëra prej tre personave: kryetarit të koalicionit qeverisës, zotit Meta dhe kreut të opozitës. Pra, kanë qenë tre persona që kanë vendosur se çfarë të bëhet dhe çfarë të mos bëhet. Dhe ndonëse nuk ka pasur pak imput, përsëri qartësisht ka qenë vendimi i tre personave. Kështu që me kalimin e kohës kjo mund të jetë jo e qëndrueshme, me zhvillimin e demokracisë, sikurse është rasti i Shqipërisë. E rëndësishme është që ka qenë një zgjedhje kushtetuese, por janë këto gjërat e tjera ku duket sikur ka një ndjesi pakënaqësie, pak boshllëk, jo për shkak për të rezultatit, disa kanë për ta pëlqyer disa jo, por si u zhvillua procesi. Mungesa e imputit në procesin që është zhvilluar, kjo besoj se i ka lënë njerëzit me një ndjesi boshe, deklaroi ambasadori i SHBA-ve.
Shansi i humbur
Arvizu e ka quajtur zgjedhjen në mënyrë të njëanshme dhe vetëm me votat e shumicës parlamentare si një shans të humbur. Ambasadori amerikan, që ishte dhe njeriu që ndërmjetësoi me të dyja palët, me Kryeministrin Berisha dhe kryesocialistin Rama për gjetjen e një emri konsensual, nuk e ka fshehur dje zhgënjimin e tij, që nuk u arrit një rast historik. Arvizu rrëfeu se procesin e zgjedhjes së Presidentit Bujar Nishani nuk ka preferuar ta ndjekë në Parlament, edhe pse në dy raundet e para të votimit ai ishte i pranishëm në lozhat e sallës së votimit. Diplomati thekoi se procesin e votimit dhe rezultatin e ka ndjekur nga televizioni dhe se përfaqësimi në Parlament vetëm me stafet teknike ishte i mjaftueshëm. Ambasadori theksoi se raundi i parë dhe ai i dytë i kishte të gjitha mundësitë që të shndërroheshin në një fazë të re dhe historike midis palëve për të miratuar një President konsensual. Raundi i parë ishte i qartë që do digjej. Raundi i dytë e i tretë kanë pasur një mundësi, ndoshta shumë e vogël, për të arritur një konsensus, e ndjeva që mund të ishte rast historik, dhe e ndjeva që mund të përfaqësohej në nivelin tim. Në raundin e katërt, nuk ishte rasti. Nuk kisha pse të ndryshoja axhendën time të punës, që ishte shumë e rëndësishme, dhe vendosa që të përfaqësohesha me sekretaren e sektorit politik të Ambasadës. Megjithatë, procesin e ndoqa në televizion, ka qenë një shans i humbur, tha Arvizu.

SMS e Arvizusë
Edhe pse nuk ishte i pranishëm ditën e zgjedhjes së Bujar Nishanit si Presidenti i Shqipërisë, ambasadori i SHBA-ve i ka dërguar një mesazh urimi disa orë para votimit në Parlament. Në mesazhin e tij të zbardhur nga Panorama,
Arvizu e quante Bujar Nishanin si mikun më të besuar të SHBA-ve në Shqipëri. Siç i thashë edhe Kryeministrit, kohë pas kohe ju u keni treguar SHBA-ve që ne nuk kemi mik më të besuar se ju në Shqipëri, thuhet në mesazhin e diplomatit amerikan.

Për Nishanin
Ambasada e SHBA-ve në vendin tonë ka uruar zgjedhjen e kreun e ri të shtetit, Bujar Nishani, duke vlerësuar punën e tij në marrëdhëniet mes dy vendeve. Në një njoftim zyrtar pas votimit në Parlament, Ambasada Amerikanë në Tiranë i ka përcjellë urime të ngrohta Bujar Nishanit për zgjedhjen e tij si President i Republikës së Shqipërisë. Në deklaratën e Ambasadës vlerësohej puna e Nishanit në postin që mbante në qeveri, duke vazhduar të njëjtin bashkëpunim edhe në karrigen e kryetarit të shtetit.

Homologët Holande dhe Papulias urojnë Nishanin
Presidenti i zgjedhur të Republikës, Bujar Nishani, ka marrë dje mesazhe urimi nga Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias dhe Presidenti Francës, Fransua Holande. Duke e uruar me rastin e zgjedhjes në këtë detyrë, në letrën e tij, Papulias shpreh angazhimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe të bashkëpunimit në kuadrin rajonal për të çuar më përpara stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit tonë. Në mesazhin e urimit, Presidenti i Francës, ndër të tjera, shprehet:Ju uroj sukses të plotë në misionin tuaj të lartë. Shpresoj në veçanti që gjatë mandatit tuaj qeveria shqiptare të vazhdojë reformat e nevojshme për afrimin e Shqipërisë me Europën. Mund të keni besim në mbështetjen e Francës për tju ndihmuar në realizimin me sukses të këtij qëllimi. Unë jam i vendosur nga ana ime të veproj me vendosmëri në këtë drejtim, thuhet në letrën e Holande.

FATION BINJAKU

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›