E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nuk mund të biesh më poshtë se në dorë të Zotit“

Autori i Lajmit: Nga Enver Robelli

„Dëgjomëni mua, ju që e zotëroni malin e thellë të Elikonës, ju bijat luftarake të Zeusit të madh! Fluturoni për të mashtruar me fjalët tuaja vëllanë tuaj Febin flokartë, i cili nga majat binjake të shkëmbit të Parnasit, i shoqëruar nga virgjëreshat madhështore të Delfit, fillon udhëtimin e tij drejt ujërave të kristalta të Kastalisë, duke kaluar Kepin e Delfit, atë mal profetik“.
Himnet e Delfit, 138-128 para erës së re.

Ndoshta Margot Kässmann e ka ndier veten si pjesë të kësaj kënge antike. Duke qenë teologe luftarake ajo kishte filluar udhëtimin drejt ujërave të kristalta dhe në tetor të vitit të kaluar kishte arritur cakun: Ipeshkvja Kässmann u zgjodh prijëse e Kishës Evangjeliste në Gjermani, pra përfaqësuese e 25 milionë protestantëve në këtë shtet. Ajo nuk ngurronte të fliste hapur. Për angazhimin e Gjermanisë në Afganistan Kässmann tha se kjo luftë „nuk mund të arsyetohet“. Po bëhen gati dhjetë vjet prej se Perëndimi u angazhua në këtë shtet në Azi. Qëllimi ishte që të ndërtohej demokracia, të luftohej kontrabanda me drogë dhe ky shtet me pozitë strategjike të bëhet aleat i Perëndimit. Ky mision ushtarak dhe politik i Perëndimit duket se ka pak shanse të përfundojë me sukses. Talibanët, të cilët u përzunë me bomba nga pushteti në vitin 2001, janë duke u forcuar prej vitesh, pushteti i presidentit Hamid Karzai është i korruptuar dhe i paaftë të jetë i pranishëm dhe të zbatojë ligjet në gjithë vendin. Madje, ndikimi i pushtetit të Karzait shpeshherë kufizohet në Kabul dhe rrethinë. Çfarë thoshte Kässmann shpesh nuk u pëlqente politikanëve, por u pëlqente njerëzve në Gjermani, sepse ajo shprehej hapur jo vetëm kundër luftës në Afganistan, por edhe kritikonte padrejtësitë sociale në Gjermani. Një grua e guximshme në një post të rëndësishëm religjioz – kjo ishte një sfidë interesante edhe për shoqërinë gjermane. Për një shoqëri që e synon demokracinë e mirëfilltë, por edhe për një komunitet fetar është me rëndësi që femrat, vërtet, të gëzojnë të drejtat e plota me meshkujt. Sa më shumë femra në poste publike, aq më humane do të jetë shoqëria. Ky është mësimi që kanë nxjerrë shoqëritë perëndimore që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, kur edhe realisht filloi procesi i gjatë dhe i mundimshëm për emancipimin e meshkujve, në mënyrë që ata të kuptojnë se femrat duhet të kenë të drejtat e njëjta me ta. Ky proces nuk kaloi pa barriera. Në Zvicër, tek në vitin 1971, femrat fituan të drejtën e votës. „Gruaja e ka vendin te shporeti“ – kjo ka qenë njëra ndër parullat e jo pak zviceranëve.
Zgjedhja e ipeshkves Margot Kässmann në krye të Kishës Evangjeliste në Gjermani ishte një premierë dhe një shenjë se emancipimi i femrës dhe barazia e saj po i afrohej realizimit të plotë. Pastaj erdhi nata e 20 shkurtit 2010. Pak para orës 23:00 në rrugën „Haarstrasse“ (Udha e Flokëve!) në Hannover zonja Kässmann nuk e ndali veturën para shenjës së kuqe të semaforit. Vazhdoi rrugën. Por, nuk shkoi larg. E ndali një patrullë policore. Gjatë kontrollit u konstatua se në gjakun e ipeshkves gjendeshin 1,54 promilë alkool. Lajmi u bë publik. Disa përfaqësues cinikë të mediave i mbushën kovat dhe enët me cinizëm dhe ia hodhën fytyrës ipeshkves Margot Kässmann. Një gazetë doli me këtë titull: „Lalleluja“ (në vend të „Halleluja“; në gjermanisht folja „lallen“ domethënë: belbëzoj, flas me gjuhë të trashë, p.sh. i dehuri). Në tekste të tjera Kässmann u quajt „mëkatare“ ose „Prediko ujë, pi verë, jepi gaz“. Një gazetar me gëzim konstatoi se tri ditë para incidentit të zonjës Kässmann kishte filluar koha e agjërimit të të krishterëve, një periudhë e asketizmit, kur hiqet dorë nga disa gëzime dhe të mira të jetës, mes tyre edhe nga disa artikuj ushqimorë.
Ipeshkvja Kässmann ndërhyri shpejt dhe ua la shpotinë në fyt cinikëve. Ajo dha dorëheqje. Ajo tha: „Kam bërë një gabim të rëndë (..) posti dhe autoriteti im janë të dëmtuar“, pastaj theksoi se sikur me këtë njollë të vazhdonte të ishte në krye të komunitetit evangjelist në Gjermani, atëherë nuk do ta kishte lirinë dhe fuqinë bindëse për të kritikuar. Kritikëve të saj su mbeti gjë tjetër veçse të tregojnë respekt për këtë akt, për këtë dorëheqje që i ngjan më shumë një triumfi. Kancelarja Angela Merkel shprehu „respekt dhe keqardhje“ për dorëheqjen e ipeshkves.
Kredon e saj morale Kässmann e shprehu me fjalët: „Ti kurrë nuk mund të biesh më poshtë se në dorë të Zotit“. Me shembullin e saj Kässmann dha një leksion të fuqishëm moral se si duhet të sillet një personalitet publik, qoftë ai fetar apo politik. „Dorëheqja e Kässmannit është në përputhje me filozofinë ekzistencaliste. Njeriu është i mallkuar të jetë i lirë. Në atë masë që ai e përcakton jetën e tij, ai po aq është përgjegjës edhe për pasojat e bëmave të tij. Në lidhje me këtë Jean Paul Sartre kishte shkruar: “Gjithçka që më ndodh mua, është imja“ – kështu e komentoi revista „Der Spiegel“ largimin e ipeshkves.
Tani arrijmë te antishembujt. Dhe antishembujt me bollëk mund ti gjejmë - ku tjetër - pos në Kosovë:
Bajrush Xhemajli, kryetar i Ferizajt, shkaktoi aksidentin që e la të vdekur një 21 vjeçar. Le që nuk e dha dorëheqjen, por rikandidoi dhe fitoi. Në katër vitet e ardhshme do të jetë kryetar i Ferizajt. Drejtësia e manipuluar do ta gjejë një vegëz për ta amnistuar këtë politikan lokal.
Ramë Manaj, zëvendëskryeministër, publikisht thotë: „E kam ndërtuar shtëpinë pa leje“. Pra, e ka shkelur ligjin. Kush e shkel ligjin është delikuent. Shikuar kështu Kosova e ka një zëvendëskryeministër delikuent që, në mungesë të kryeministrit - i cili mund të jetë i zënë me argatë te shtëpia e tij modeste - mund të drejtojë edhe mbledhjet e Qeverisë.
Probleme me autoritetet e ligjit dhe rendit kanë pasur apo vazhdojnë të kenë edhe politikanë të tjerë. Për shembull Xhabir Zharku, edhe ky i rizgjedhur së fundi kryetar i Kaçanikut, dhe Sami Lushtaku, kryetar i Skenderajt. Gjëra të tilla janë të mundshme në Kosovë, sepse mungon kultura e ndershmërisë. Mund të jesh edhe politikan, edhe bandit. Mund të jesh edhe gazetar, edhe bandit, edhe i korruptuar, edhe shpifës. Mund të jesh edhe vjedhës, edhe predikues kundër korrupsionit. Për aq kohë sa pjesëtarët e një shoqërie të mësohen të MOS GËNJEJNË, për aq kohë sa ata nuk duan ta kuptojnë se të vjedhësh shtetin është njëjtë sikur të vjedhësh shtëpinë tënde, nuk mund të ketë lëvizje nga prapambetja ekonomike dhe mjerimi institucional. Për të gjithë duhet të ekzistojë një prag moral. Për ata që marrin besimin e shoqërisë për të drejtuar punët e shtetit apo komunitetet fetare, pragu moral është/do të duhej të ishte më i lartë. Kur bien të gjitha pragjet, edhe pafytyrësia është e pafund. Dhe kjo pafytyrësi nuk kufizohet vetëm në skenën politike. Ajo është e pranishme çdo kund. Këto ditë nëpër forume interneti është duke qarkulluar një video, ku shihet një teolog katolik i quajtur Anton Kçira duke mbajtur para bashkatdhetarëve në ShBA një fjalim të skajshëm dhe deri më tani të padëgjuar nga eksponentë të klerit katolik shqiptar. Ky taliban kristian shpreh keqardhje pse Slobodan Milosevic „si ka rrjepur“ 1,9 milionë shqiptarë myslimanë të Kosovës ashtu siç veproi me mbi 200 mijë myslimanë të Bosnjës. Një teolog islam nga Kosova me emrin Shefqet Krasniqi publikisht çirrej se „Nënë Tereza do të shkojë në ferr“. Autoritetet e Kosovës me vite kanë lejuar që imami nga Shqipëria Xhemajl (Kastriot) Duka në fshatin Marinë, në zemër të Drenicës, të krijojë një lloj kështjelle talibanësh, madje përfaqësues të shoqërisë civile në Komunën e Skenderajt kanë thënë se kjo xhami ka qenë edhe qendër për koordinimin e orgjive të organizuara seksuale me gratë besimtare të rajonit, të cilat me ditë të tëra janë dërguar nëpër ekskursione në Turqi.
Për të gjitha këto probleme nuk flasin dueti Fatmir Sejdiu - Hashim Thaçi. Të dy dhe shumë të tjerë rreth tyre duket që nuk ushtrojnë postet publike për interesa të shoqërisë, por për interesa personale dhe klanore. Prandaj, shembulli i dorëheqjes së ipeshkves Margot Kässmann prej shumëkujt në Kosovë do të komentohet me cinizëm - në stilin: „Këqyre budallica! Ka dhënë dorëheqje për shkak se ka pirë dy-tri gota verë“.
robelli@bluewin.ch
Ky lajm është publikuar: 09/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›