E Shtunë, 31 Tetor 2026

Angazhimi i Behgjet Pacollit në Kosovë

Autori i Lajmit: Nga Janusz Bugajski

Puna e Behgjetit vazhdon dhe unë jam i sigurt se ai do të bëhet një pjesë jetike e të ardhmes së Kosovës ashtu siç ka qenë gjatë shfaqjes së saj si një shtet i pavarur.
Unë dhe Behgjet Pacolli u takuam në Uashington DC, në tetor të 2005-s, në një prej vizitave të tij të shumta në kapitalin e SHBA-së për të arritur mbështetje për Pavarësinë e Kosovës. Ne patëm një darkë me një grup të përkrahësve të mirënjohur amerikanë të Kosovës, të organizuar nga një firmë konsultuese që Behgjeti kishte punësuar kohët e fundit. Ai dëshironte të njihej me komunitetin politik të Uashingtonit dhe të fillonte një fushatë më sistematike për lindjen e shtetit më të ri të Evropës. Unë kam qenë i befasuar se si ky njeri kaq modest ka arritur të jetë kaq i mirëlidhur rreth botës, duke e ditur fare mirë se ishte një sprovë e lartë në ndërtim. Ai mori pjesë në diskutimet tona, por në mënyrë të qartë ishte atje për të dëgjuar e jo për të imponuar pikëpamjet e tij. Mbresat e para që më la takimi me Pacollin çuan drejt një sugjerimi që unë i bëra atij për të krijuar marrëdhënie më të ngushta me organizatën time Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. Propozimi im u prit mirë. Ai donte të mësonte më shumë rreth nesh, se kush ishim dhe çfarë kemi bërë. Ai ishte i etur për të eksploruar çdo rrugë që do të shtynte përpara procesin e pavarësisë së Kosovës. Në atë kohë nuk ishte ende i përhapur dyshimi se Uashingtoni do ta vinte në pikëpyetje shtetin e Kosovës dhe aspirimin e tij do ta kalonte në një harresë politike. Behgjeti kishte ardhur në një pikë shumë të rëndësishme të jetës së tij, atë të kthimit në Kosovë për të dhënë diçka për vendin dhe popullin e tij. Kjo dëshirë e Pacollit nuk ishte e nxitur nga fitimi personal ose ambicia e tij politike, por nga diçka më e thellë që mbante emrin “dashuri për vendin e tij të lindjes dhe familjen e tij të madhe kosovare”. Ai fare mirë mund të kishte qëndruar indiferent dhe ti shpenzonte energjitë e tij në zhvillimin e biznesit personal, por kjo për Behgjetin nuk ishte e mjaftueshme në një kohë kur vendi i tij e kërkonte më së shumti. Gjatë dy vetëve të ardhshëm Behgjeti krijoi një marrëdhënie të ngushtë me CSIS. Ne kemi organizuar konferenca ndërkombëtare në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit, në Uashington e në Prishtinë, dhe të gjitha u sponsorizuan dhe u financuan prej tij. Qëllimi ynë ishte që të tregonim se sa e rëndësishme ishte Kosova për rajonin e më gjerë, dhe se stabiliteti në një shtet që aspiron në strukturat ndërkombëtare për pavarësinë e tij është shumë i rëndësishëm. Ne gjithashtu mbështetëm idenë e Behgjetit se Evropa Juglindore do të bëhej plotësisht e qëndrueshme nëpërmjet lidhjeve të ngushta ekonomike dhe lidhjeve të biznesit në të gjitha kryeqytetet e saj. Angazhimi i Behgjetit për vendin e tij ishte pasqyruar edhe në mbështetjen e tij për CSIS. Ai kuptoi se Qendra ka ndikim të madh në politikën e qarqeve të Uashingtonit dhe se në programet e saj ishin të përfshirë një numër i madh ish-zyrtarësh të njohur. Ai ishte i ftuar për tu bashkuar me këshilltarët ndërkombëtare të CSIS, të cilët ishin një grup biznesmenësh të njohur, kryesuar nga ish-sekretariati i shtetit Henry Kissinger. Eksperienca e Behgjetit në zhvillimin e infrastrukturës së shteteve të demokracive të reja dhe në zhvillim vlerësohej shumë nga grupi. Behgjeti ishte për tu admiruar për energjinë dhe punën e palodhshme. Ai ishte jo vetëm menaxhues i biznesit në Lugano dhe projektues në ndërtimet në Kazakistan, por edhe një vizitor i rregullt i Uashingtonit. Ai tashmë kishte vendosur të kishte një marrëdhënie më të drejtpërdrejtë me vendin e tij duke u përfshirë në politikën kosovare, duke qenë i bindur se partitë ekzistuese dhe politikanët kanë qenë mjaft aktivë në nxitjen ndërkombëtare për pavarësi. Ai gjithashtu mendonte se mund të jepte kontributin e tij të drejtpërdrejtë në transformimin e Kosovës nga paskomuniste djerrinë në një demokraci të begatë. Përvoja e tij e biznesit dhe kontaktet e tij ndërkombëtare do të shërbenin për rindërtimin e vendit të tij dhe të gjenerojnë një ndjenjë të krenarisë në mesin e popullit të tij.
Ky lajm është publikuar: 09/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›