E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers: Prokurorja Rama i rezistoi presioneve të politikës

Autori i Lajmit: Redaksia
Ambasadori amerikan John Uidhers ka vlerësuar me notën shkëlqyeshëm punën e Ina Ramës në postin e Prokurores së Përgjithshme.
Ai e ka nisur deklaratën e tij me vlerësime për kryeprokuroren, duke u shprehur se ashtu siç e dimë të gjithë, Prokuroria e Përgjithshme në Shqipëri është një institucion i pavarur. Si i tillë, është kënaqësia ime që të jem në krah Prokurores Rama, pasi ajo ka shfaqur përkushtim dhe angazhim në ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit të institucionit që drejton. Ajo ka ruajtur këtë pavarësi me profesionalizëm dhe përkushtim ndaj ligjit dhe parimeve, duke fituar respektin e bashkëkombësve të saj, ashtu si edhe të ne të huajve, që e njohim atë mirë. Ndërsa vë në dukje se kryeprokurorja vazhdimisht është gjendur nën presion politik si nga maxhoranca dhe opozita. Ambasadori amerikan ishte i pranishëm në një seminar të organizuar dje paradite në prokurorinë e Tiranës. Në seminar morën pjesë dhe prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama dhe prokurorja e Krimeve të Rënda në Malin e Zi.
Qëndresë ndaj presionit
Uithers vlerësoi qëndresën e Ramës ndaj “presioneve politike që vijnë nga të dyja kahet”- siç tha ambasadori, por dhe ndaj presionit të "shtypit i cili ka paraqitur artikuj, ku janë përpjekur që ta kritikojnë thjesht për faktin se ka kryer detyrën". Diplomati amerikan duke pranuar se puna e prokurorit nuk është e lehtë në asnjë vend tha se lufta e korrupsionit është e vështirë dhe çështja e imunitetit ka qenë në vetvete një problem për prokuroren. “Ka pasur dhe pengesa të tjera ligjore lidhur me çështjen arkaike të imunitetit që në vetvete përbën një problem. Të gjitha këto thjesht për faktin që në mënyrë që puna e saj të mund të anojë nga njëra anë ose në tjetrën."
Sfidat
Uidhers tha më tej se, “unë do të them edhe disa fjalë edhe mbi sfidat me të cilat ju do të përballeni ndërsa ndiqni shkelësit e mëdhenj të ligjit. Të gjithë ne e kuptojmë përgjegjshmërinë që nevojitet në raste të tilla. Megjithatë, prokurorët duhet të mbeten të pavarur dhe të lirë ndaj çdo ndikimi apo detyrimi politik. Ju keni për detyrë të ndiqni faktet kudo që ato mund tju çojnë. E di, nuk është e lehtë, jam i bindur për këtë, dhe shpesh kjo kërkon përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj punës suaj dhe kurajo të jashtëzakonshme”, tha dje ndër të tjera ambasadori Uidhers.

Ina Rama: “Organizatat kriminale po investojnë në biznese”

Kryeprokurorja Ina Rama deklaruar dhe se krimi në ditët e sotme është më i sofistikuar dhe format e kriminalitetit janë të reja.
Autorët e krimeve janë të organizuar tashmë dhe lufta kundër këtij fenomeni bëhet akoma dhe më e rëndësishme dhe më e vështirë, por jo e pamundur. Kreu i akuzës ka dhënë alarmin se organizatat kriminale janë duke investuar në biznese paratë e përfituara nga trafiqet. “Ky lloj kriminaliteti shfaqet sot agresiv dhe mjaft i organizuar. I aftë të shfaqet nën petkun e një biznesi të ligjshëm. Trajnimi më i specializuar në këtë fushë do të ishte i vlefshëm për gjyqtarët që gjykojnë çështje të tilla”, ka deklaruar Ina Rama. Detyra e Prokurorisë është të luftojë krimin, por dhe të jetë një institucion i pavarur, ashtu siç ka qëndruar deri më sot. Ndër të tjera Rama nuk ka harruar të falënderojë prezencën e ambasadorit amerikan Xhon Uidhers, dhe mbështetjen që shteti që ai përfaqëson ka dhënë në luftimin e krimit dhe trafiqeve në vend. Deklaratat kryeprokurorja i bëri gjatë seminarit, me prezencën e TASK-FORCE tëq Malit të Zi.

SHBA, ndihma për policinë shqiptare

SHBA ka dhuruar 15 monitorë televizivë me ekran të sheshtë LCD 15” dhe 15 kompjuterë për pajisjen e klasave të Korpusit mësimor të konferencave trajnuese. Dhurata e qeverisë Amerikane ka shkuar për Qendrën e Formimit Policor. Të pranishëm në ceremoninë e dhurimit kanë qenë ambasadori amerikan John Uidhers, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, si dhe drejtues e punonjës të qendrës. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, gjatë fjalës së tij falënderoi në mënyrë të veçantë qeverinë amerikane dhe Programin ICITAP për mbështetjen dhe asistencën e vazhdueshme në zbatimin e reformës së sistemit të arsimimit dhe trajnimit policor, luftën kundër krimit të organizuar, menaxhimit të integruar të kufirit, menaxhimit të burimeve njerëzore, si dhe zhvillimit të teknologjisë së informacionit. ”Duke e konsideruar komponentin e arsimimit dhe trajnimit policor, si një nga elementët më të rëndësishëm të reformës, ministri Basha theksoi se: ”Falë mbështetjes suaj, por edhe stafit pedagogjik të Qendrës, kemi arritur standarde bashkëkohore në trajnimin e shërbimeve si dhe sukses të dukshëm në përgatitjen e brezave të parë të patrullës së përgjithshme”, tha Basha. Ndërsa ambasadori amerikan John Uidhers, evidentoi se qëllimi i këtij donacioni është përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies dhe trajnimit nëpërmjet metodave moderne dhe bashkëkohore.

Ky lajm është publikuar: 09/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›