E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ndalemi

Vendimi i FIFA’s e ka zhgënjyer selektorin e përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjakun. Ai thotë se ky është diskriminim dhe padrejtësi. Megjithëkëtë, trajneri është i përkushtuar të vazhdojë punën dha ta bëjë gati skuadrën për kualifikimet e Euro 2016.

Refuzimi i kërkesës së Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare nga i Komitetit Ekzekutiv i FIFA’s ka zhgënjyer kosovarët.

Pa dyshim se i zhgënjyer me këtë vendim është edhe selektori i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, i cili ndeshjen e fundit miqësore e ka zhvilluar në muajin mars, ndaj skuadrës shqiptare nga Maqedonia, Renovës.

“Është diskriminim dhe e padrejtë. Politika është e kyçur në sport dhe kjo është e mjerueshme. Ky vendim nuk është shumë befasueses, edhe pse shpresat i kemi pasur pasi kishte sinjale pozitive”, ka thënë Bunjaku për Express.

Megjithëkëtë, Bunjaku thotë se do të vazhdojë me procesin e punës që nuk varen nga faktorët e jashtëm. Pas këtij vendimi, ai paralajmëron se do ta bëjë një hap prapa duke organizuar sërish seleksionime të brendshme me lojtarë të rinj që janë kandidatë për përfaqësuesen në të ardhmen.

Selektori i ekipit kosovar tregon se vendimet e FIFA’s asnjëherë nuk e kanë shtyrë të mendojë në dorëheqje. Përkundrazi, ai thotë se këto refuzime veç e kanë motivuar edhe më shumë për punë.

“Këto vendim po më bëjnë edhe më të fortë, jam shumë i përkushtuar në qeshjen e Kosovës dhe askush nuk mund të më nxjerrë jashtë, përderisa kanë nevojë për mua”, ka thekuar ai.

Bunjaku beson shumë se Kosova do të marrë pjesë në kualifikimet për ‘Euro 2016’, të cilat do të fillojnë në shtator të vitit 2014, menjëherë pas përfundimit të Kampionatit botëror që do të mbahet në Brazili.

Kosova ka oferta për miqësore

Ish-trajneri i Kalmarit ka bërë të ditur se pavarësisht vendimit të FIFA’s, disa skuadra dhe përfaqësueses të huaja kanë shprehur interesim që të zhvillojnë ndeshje miqësore me Kosovën. “Duhet të gjejmë forma të tjera. Ka ekipe të interesuara për të luajtur me ne. Në ndeshjet mund t’i zhvillojmë, por nuk mund ta quaj reprezentacion, kryesorja është loja, ekipin quaje si të duash”, ka përfunduar Bunjaku.

Vokrri: Ky është diskriminim

Në anën tjetër, kreu i futbollit kosovar, Fadil Vokrri, i cili ishte në Zvicër që të lobojë për këtë çështje, vendimin e Komitetit Ekzekutiv të FIFA’s e ka quajtur diskriminim për futbollin kosovar. “Ky është diskriminim. Do t’i presim arsyet e refuzimit, pasi ende nuk kemi marrë asgjë zyrtare. Pavarësisht kësaj, ne do të vazhdojmë dhe nuk do të ndalemi asnjëherë”, ka thënë Vokrri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›