E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i pronave në fazat e para të kompjuterizimit

Sistemi i regjistrimit të pasurive në Shqipëri është në fazat e para të kompjuterizimit. Procesi që pritet të modernizojë shërbimin ka nisur me zonat urbane të Tiranë dhe Durrës ku kryhen rreth 55 për qind të transaksioneve me pronat në shkallë vendi.

"Kemi bërë krijimin e arshivës dixhitale për dy rrethe kryesore, Tirane dhe Durrës, duke skanuar cdo lloj dokumentacioni dhe duke krijuar lidhje me gjithe dokumentacionin për pronat në këto dy zyra qëndrore. ", tha Arben Qirjako, kryeregjistrues i Shqipërisë.

"U zgjodh kjo metodë e zhvillimit nga brenda me qëllim që duke u zhvilluar sistemi ndërkohë ngrihen dhe kapacitetet përkatëse, edhe për zhvillimin, përdorimin dhe mirëmbajtjen e sistemit", u shpreh Rezart Turdiu, drejtor i Projekteve në ZQRPP.

"Testimi i versionit alfa do të fillojë mendoj pas tre katër ditësh. Ne do të themi që jemi në gjendje ta realizojmë sistemin në kohën që ne kemi programuar, pasi të shikojmë rezultatet e këtij versioni", tha Xhevahir Llakaj, drejtor IT në ZQRPP.

Por procesi i regjistrimit të pronave ka pësuar ngadalësim pas heqjes të së drejtës së kryeregjistruesit për të fshirë mbivendosjet e pronave nga Gjykata Kushtetuese. "Në qoftë se me një akt administrativ më përpara jepej një drejtim për krijimin e një regjistri unik, sot je i detyruar që ti të pezullosh veprimet në momentin që konstaton mbivendosjen dhe i drejton palët në gjykatë", tha Qirjako.

"Ndoshta kjo do të shkaktojë një vonesë në trajtimin e këtyre cështjeve duke pasur parasysh se proceset gjyqësore kanë një ecuri të tillë që zgjasin më shumë se sa ishte parashikuar të zgjaste sipas një procedure administrative që e kryente zyra e regjiostrimit të pasurive të paluajtshme", u shpreh Elidon Laze, drejtor juridik i ZQRPP.
Sistemi i regjistrimit të pronave në Shqipëri po ndërtohet me asistencë e financime të Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.

Adi Darsi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›