E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk përjashtohet as largimi i anëtarëve

Eurozona, në krizën më të rëndë që nga krijimi

Eurozona po përjeton krizën më të rëndë që nga krijimi i saj, 11 vjet më parë. Për momentin kjo zonë duket sikur ende mbahet e unifikuar, por problemet e mëdha që kanë kapur disa nga anëtarët e saj nuk mund të injorohen për një kohë të gjatë e për më tepër nuk mund të mendohet se nuk do të kenë pasoja në vetë zonën. Rënia e madhe e aksioneve dhe çmimeve të bonove në Greqi, Spanjë dhe Portugali këtë javë nënvizuan frikën e investitorëve në lidhje me vendet e zhytura në borxhe, që rastësisht ndodhen në jug të Europës dhe me pamundësinë e tyre në rritje për të përballuar kërkesat fiskale dhe monetare të anëtarësisë. Shumë analistë të Bashkimit Europian, apo të Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë deklaruar se në një rast ekstrem do të ndihmonin Greqinë me ndihmë financiare për të kaluar vështirësinë, sepse një rënie e Greqisë do të shkaktonte efektin domino dhe do të shembte gjithë strukturën e eurozonës. Por ndërkohë, ekonomitë po ndërthuren me njëra-tjetrën në mënyrë të tillë sa është e pamundur që problemet me një vend të mos prekin edhe vendet e tjera, rritjet e tyre ekonomike dhe kjo për një periudhë të gjatë, disavjeçare. Kjo mund të çonte deri edhe në braktisjen e Euros, ndonëse kostoja për mbajtjen e saj do të bëhej shumë e madhe. Sipas një eksperti të FMN-së për pak gjërat u dukën se ishin mirë, por aktualisht kanë nisur të shfaqen probleme dhe divergjenca të mëdha. Po vihet re se disa vende kanë shkuar mirë si Gjermania, për shembull e vende të tjera janë rënduar shumë ekonomikisht si Spanja, apo Greqia. Dobësia e vendeve jugore të eurozonës u maskua në vitet e para të bashkimit nga një ambient dhe situatë pozitive globale, por me përkeqësimin e kësaj situate dhe nisjen e krizës dolën në pah të gjitha dobësitë e monedhës dhe bashkimit monetar në zonën e euros. Gjatë muajve të fundit, megjithatë, kostot dhe përfitimet e anëtarësisë kanë ndryshuar ndjeshëm. Malet e borxheve publike dhe papunësia janë shtuar në atë masë sa vendet e kanë të nevojshme një rritje ekonomike bindëse për të ndrequr situatën. Dhjetëvjeçari i dytë i ekzistencës së monedhës së përbashkët, ndryshe nga ai i pari do të jetë një dhjetëvjeçar i vështirë, pra e kundërta e të parit. Kjo do të thotë se situata e vështirë parashikon mbijetesën e unionit, por nuk përjashton më kategorikisht daljen prej tij të ndonjë vendi të vogël. Megjithatë, spekulimet për ndonjë dalje të tanishme, pra të hershme janë jo shumë të bazuara. Por procesi i lënies së euros do të ishte kaq i dhimbshëm  dhe i vështirë, praktikisht, por edhe politikisht, saqë qeveritë para se ta bënin një gjë të tillë do të konsideronin çdolloj opsioni të mundshëm. Eurozona, me 16 anëtarë është një arritje e madhe politike të cilën anëtarët e saj më të pasur si Gjermania dhe Franca do ta mbrojnë me çdo kusht. Kështu, edhe pse zyrtarisht versioni është që shtetet në vështirësi financiare nuk do të ndihmohen, jozyrtarisht po përgatiten paketa shpëtimi për Athinën, madje kjo ideja e ndihmës sa vjen e po gjen një mbështetje më të madhe duke u konsideruar si mënyra e vetme për daljen nga kriza. Por ndërkohë, nëse një ndihmë e tillë mund të zgjidhte problemin afatshkurtër të borxheve ajo do të ulte ndjeshëm performancën ekonomike të vendit që do të pranonte ndihmën. Megjithatë, krizat e fundit kanë nxjerrë në pah një të vërtetë të hidhur, atë që në  eurozona duhet që të krijojë një kuadër institucional për të përballuar krizat e tipit të Greqisë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›