E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nuk pranojmë pushtetin e pakicës - zgjedhjet e 2013 leksion i fortë për humbësin Edi Rama”

06-08-2012 / Nga Sali Berisha *

“Unë së pari dëshiroj të përshëndes shumë përzemërsisht, t’u përgëzoj për organizimin e këtij kampingu i cili është shumë i rëndësishëm për një jetë sociale të këndshme. Këtu në njërin nga vendet turistike më të bukura do të thosha jo vetëm të Shqipërisë, por sa herë që të shohësh këtë kompleks natyror, ujërat e Dhërmiut dhe Malin e Çikës, përbëjnë një nga komplekset që natyra mund të ketë krijuar kund. Natyrisht, bashkimi juaj këtu në këtë kamping ju jep mundësi të njiheni njëri me tjetrin, të shkëmbeni mendime, të ndani gëzime njëri me tjetrin dhe pa dyshim, të notoni, sepse ndër të gjitha sportet noti është më kalitësi, noti është më eprori. Edhe në olimpiadë janë të gjitha sportet, por lajmet i merr vetëm Michale Phelps, kryesisht. I marrin edhe të tjerët, por më së shumti Phelps-i. Keni mundësi më pastaj edhe të zbaviteni pas notit. Shpresoj që kushtet të jenë, por edhe më të mira mund t’i bëjmë. E rëndësishme shumë është që konsolidoni një praktikë jashtëzakonisht të dobishme. Kjo është një praktikë shumë e çmuar, shumë e dobishme. Nga ana tjetër kampingu me një familje politike, ka edhe anën e vetë të debatit për problemet me interes politik, ka edhe mundësinë e trajnimin dhe sidomos tani që ecim drejt zgjedhjeve të vitit 2013 na duhet një trajnim i gjithanshëm sepse këto zgjedhje kanë një rëndësi të veçantë për vendin. Unë mund t’ju them se ritmet e zhvillimit të Shqipërisë janë të pakrahasueshme nga viti 2005 dhe deri sot. Por këto janë ritme jetike për vendin sepse ne në vitin 1990 jo vetëm dolëm nga një sistem që fatmirësisht ju nuk e njihnit, dhe kjo është një nga avantazhet tuaja të mëdha, sepse nuk keni në psikologjinë tuja asgjë nga psikologjia e atij sistemi të shëmtuar dhe të egër sa vetë shëmtia dhe egërsia, por ne dolëm më të varfrit e kësaj toke në një kontinent që ishte më i pasuri dhe kjo natyrisht, psikologjikisht e bënte edhe më të vështirë gjendjen psikologjike të shqiptarëve. Sot ne ecim me ritme më të shpejta se asnjë vend tjetër dhe ecim me këto ritme për një faktor më kryesor, sepse ne respektojmë lirinë dhe besojmë se në zgjerimin e saj dhe respektin e saj është pasurie të gjitha pasurive dhe vlerë e të gjitha vlerave. Unë para 2-3 ditësh lexova në mbledhjen e qeverisë lexova një material, i cili krahasonte 2 vende. Ky është një shkrim i 5 universiteteve dhe institucioneve në botë që përllogarisin çdo vit lirinë ekonomike dhe Shqipërinë e cila pak vite më parë renditej e 83-a në botë për lirinë e botë për lirinë ekonomike, tani renditet e 12-a në botë. Afrikën e Jugut e cila renditej e 43-a pak vite më parë, tani është katadisur te 84-a dhe merrte të gjithë treguesit. Treguesit e Shqipërisë janë nga më dinamikët, nga më të shpejtit në ndryshim, treguesit e vendit tjetër që janë më një potencial të jashtëzakonshëm, të gjithanshëm shënojnë nga rënia në rënie. Ndaj edhe zgjedhjet e vitit 2013 kanë një rëndësi përcaktuese për vendosjen përfundimtare të Shqipërisë në vendet e zhvilluara. Me këto mandate ne kemi hedhur baza shumë të forta. Vërtetë ne kemi arritur ndryshime në infrastrukturën bazë, por pa atë nuk ka zhvillim, ajo përbën kushtin e të gjitha kushteve për t’u zhvilluar. Në mandatin e ardhshëm ne do të kemi mundësi të përqendrohemi shumë më tepër në zgjerimin e mëtejshëm të lirisë, do të kemi mundësi të përqendrohemi shumë më tepër në sistemin arsimor në mënyrë që këto arritje sasiore që janë të domosdoshme, mos harroni në vitin 2005 vetëm 1/3 e atyre që mbaronin shkollat e mesme hynin në Universitet, pra ëndrra e një të riu, ëndrra e çdo gjimnazisti pothuaj është që të ndjekë Universitetin dhe kjo ëndërr u realizohej më pak se 1/3 së atyre që mbaronin shkollat e mesme. Sot këtë ëndërr e realizojnë në tërësi të gjithë të rinjtë që mbarojnë shkollat e mesme. Sot janë diversifikuar, në qoftë se më parë kishte në tërësi e vetë mbi 120 programe sot janë mbi 530 programe në sistemin tonë universitar. Por prapë, duhet të themi se këto janë vetëm hapa bazë, themelorë dhe përpjekje shumë të mëdha duhet të bëjmë ne që sistemin arsimor para universitar dhe universitar ta ngjisim gjithnjë e më lartë, ta bëjmë gjithnjë e më të përshtatshëm për tregun dhe kërkesat e tij, ta bëjmë gjithnjë e më cilësor. Nuk ka për një komb asnjë garë më të rëndësishme se garën e dijes dhe sa më shumë të investojë ai në këtë fushë, sa më shumë të luftojë ai për cilësinë në garën e dijes aq më shpejt dhe më i sigurt zhvillohet. Ne do të bëjmë gjithçka që Shqipëria të bëhet një vend i zhvilluar por Shqipëria të ketë një zhvillim të qëndrueshëm. Kjo krizë e madhe që ndodh sot dhe që ju e dëgjoni në Greqi dhe vende të tjera, kjo krizë ka në bazë një zhvillim jo të qëndrueshëm. Zhvillim i qëndrueshëm do të thotë që  ata që vijnë pas jush të kenë të garantuar një nivel jetese të qëndrueshme dhe jo të kthehen prapa, ata që vijnë pas jush nga ky zhvillim të njohin edhe ata një nivel të ri dhe jo të bëjnë hapa prapa e jo si ç’po bëhet sot në disa vende. Ky zhvillim kërkon që të ketë një harmoni midis zhvillimit të sektorëve, kërkon që të përdoren në mënyrë racionale burimet natyrore. Ky zhvillim është i kushtueshëm, sepse përse ndodh zhvillimi i paqëndrueshëm. Zhvillimi i paqëndrueshëm ndodh sepse rendet pas pasurimeve të shpejta të pa perspektivë, kurse ne një nga shtyllat kryesore të zhvillimit që është energjia, e cila është një shtyllë kryesore si janë rrugët, shkollat është energjia. Ne kemi një fat të madh sepse jemi një vend i pasur me burime energjetike të rinovueshme. Ne po ecim shumë të vendosur në këtë fushë dhe pas rrugëve që ju po shihni që po ndërtohen kudo, ndërtime të tjera që ju nuk i shihni në tërësi, por që po ndodhin kudo janë hidrocentralet. Unë ju them një histori shumë të veçantë suksesi. Në vitin 2007 prej 30 vitesh në Shqipëri nuk ishte ndërtuar qoftë edhe një hidrocentral i vetëm, asnjë, ndonëse Shqipëria kishte të pashfrytëzuar më shumë se 2/3 e ujërave të saj. Me një grup inxhinierësh të shquar të fushës së ujërave, një grup të vogël dhe me një ligj shumë të mirë ne ja dolëm të ndezim në këtë vend një garë të panjohur ndonjëherë më parë.  Sot faktikisht në qoftë se unë para 2 – 3 muajsh informova shqiptarët se janë ndërtuar 46 hidrocentrale , sot janë të ndërtuara 70 hidrocentrale sepse të tjerat ishin në përfundim e sipër. Një veprimtari e madhe e cila do të trefishojë prodhimin tonë të energjisë. Këto janë vepra të qëndrueshme, japin energji me koston më të ulët dhe natyrisht kjo përbën një zhvillim shumë të rëndësishëm të cilën e trashëgojnë edhe ata që vijnë pas nesh në një kohë që çmimet e energjisë mund të vijnë gjithnjë duke u rritur, për shqiptarët këto do të jenë çmimet me koston më të ulët. Të tjera potenciale janë të mëdha në vend, është turizmi, ka njohur bumin më të paimagjinueshëm. Vitin e kaluar ishin 4 milionë e 101 mijë turistë dhe vizitorë, në vitin 2004 ne kemi pasur gjithsej 300 mijë turistë dhe vizitorë. Asnjë vend nuk ka pasur dhe nuk ka njohur një bum kaq të shpejtë në një kohë kaq të shkurtër. Si e shihni brigjet tona janë për t’u ndërtuar, do të bëjmë gjithçka që të mos pësojnë fatin e Golemit dhe fatin e plazhit të Durrësit në mënyrë që të mos ketë një batërdi urbanistike të atij lloji por të ndërtohet në kushte duke respektuar shumë më tepër kondicionet urbanistike si është bërë në Radhimë që është shumë mirë e ndërtuar, apo në disa zona të tjera. Do të bëjmë çdo gjë që të ecim drejt turizmit malor. Do ta vlerësoja shumë sikur Forumi Rinor të përzgjidhte edhe një zonë malore për një kamping. Unë takova grupin e alpinistëve që u ngjitën në Everest, u ngritën me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit. Patën disa specifika ekipi i tyre. E para është një nga më të rrallat në historinë e ngjitjeve të mbi 8 mijë 840 metra, që ngjitet i tërë ekipi të gjashtë, dhe e dyta ajo që ishte shumë emocionuese dhe e veçantë, 3 prej anëtarëve të ekipit ishin njëri 22, 21 dhe nën 18 vjeç, ishin të rinj. Por mesazhi i tyre ishte se “Ne jemi një vend malor me një alpinizëm popullor të zhvilluar, por ne nuk jemi një vend, nuk punojmë për të ngjallur një pasion masiv tek të rinjtë nëpërmjet një lëvizje Scout, apo lëvizjeve të tjera, të cilat I bëjnë të rinjtë shqiptarë të njohin bukuritë malore të vendeve të tyre. Po lexoja shkrimin e Sally Becker, një prej 5-6 flamurmbajtësit e flamurit të Olimpiadës në Londër, flamuri Olimpik u mbajt nga Kofi Anan dhe Mohamed Ali, një nga legjendat e boksit I cili mbahet si boksieri më i mirë të gjitha kohërave dhe disa personalitete të tjera, ishte edhe një braziliane e cila bënte një luftë të jashtëzakonshme për mbrojtjen e Amazonës, ishte edhe kjo zonjë e cila ka qenë në Shqipëri, në Kosovë dhe në Bosnje dhe ka shpëtuar me qindra fëmijë në Bosnje dhe në Kosovë gjatë luftës. Kjo e mbyllte me intervistën e saj me një lloj kujtimi për Bjeshkët e Namuna, sepse e njihte terrenin. I dashuri i saj vdiq pak kohë më parë dhe thotë: Do të doja të takohesha me të në Bjeshkët e Namuna. Do të thotë, ne kemi zona malore mahnitëse ndaj edhe mirë është që të përpiqemi që t’i njohim ato, por më mirë se sa ju nuk e ka kush tjetër. Të bëjmë çdo përpjekje për një përgatitje të shkëlqyer për zgjedhjet e ardhshme. Ne do të ndërtojmë dhe do të hartojmë një program i cili do të ketë si objektiv numër 1, shndërrimin e Shqipërisë në një vend të zhvilluar. Disa nga treguesit më kryesorë të vendeve të zhvilluara ne i kemi arritur, por prapë ne nuk jemi në grupin e tyre, ndaj le të përpiqemi dhe do të përpiqemi që gjatë mandatit të ardhshëm të realizojmë një e nga një të gjithë objektivat tonë. Unë kam bindjen absolute se çfarë mund të parashikohet do të shndërrohet në një vend të zhvilluar. Janë potenciale të mëdha të këtij vendi, janë në radhë të parë njerëzit e këtij vendi, të rinjtë e tij. Natyrisht jo të gjitha problemet ecin si ç’do të donim dhe një nga problemet më madhore është procesi i integrimit në BE. Ne përballemi me një kundërshtar tonin i cili beson se duke bllokuar procesin e integrimit dëmton qeverinë, dëmton kundërshtarin. E vërteta është se duke bllokuar procesin e integrimit dëmtohet çdo shqiptar dhe po u dëmtua çdo shqiptar dëmtohet pa diskutim edhe ajo qeveri që përpiqet me të gjitha mundësitë për të realizuar ëndrrën e tyre, port ë jetë problemi në rrafshin elektoral, më shumë se kushdo tjetër dëmtohet ai që bllokon. Sepse unë mund të them se Partia Socialiste nuk është për integrimin e vendit, jo është për integrimin, por ajo mendon se ajo mendon se nuk duhet të jetë kjo mazhorancë që të marrë meritën për integrimin e vendit. Këtu më duhet t’u them këtyre zotërinjve se kjo mazhorancë e ka plotësisht të merituar këtë proces sepse është kjo mazhorancë e cila shembi murin e komunizmit, është kjo mazhorancë e cila anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Europës, është kjo mazhorancë e cila anëtarësoi Shqipërinë në NATO dhe ne nuk penguam të tjerët kur ishin në pushtet, përkundrazi ne i mbështetëm me të gjithë forcën tonë. Është kjo mazhorancë që iu përgjigj pyetësorit në mënyrën më serioze. Kësaj mazhorance dhe këtij vendi i kërkohen disa reforma që kërkojnë 3/5 dhe të cilat kryetari i opozitës nuk lejon Grupin Parlamentar për t’i votuar. Edhe në këtë rast, ka këto anë, së pari do jenë shqiptarët që do japin përgjigjen e merituar me votën e tyre të lirë. Ata folën një herë më 8 maj dhe zotëria që doli para shqiptarëve tha se nuk do të pengojë asnjë reformë për procesin e integrimin sepse universalisht u vlerësua se ishte bllokimi që i bëri integrimit me të cilin qytetarët e ndëshkuan me votë. Tani kthen mendje. Atëherë përsëri shqiptarët me votë do të japin verdiktin e tyre, por është fat nga ana tjetër që nqse bllokon një proces nuk bllokon dot asnjë nga proceset e tjera, ndaj edhe ne në një proces më seriozin kemi vendosur vendin në një zhvillim të papërmbajtur si e vlerësojnë të gjithë ata që e vizitojnë, kemi vendosur vendin në spot-light për sa i përket investimeve të huaja. Ne jemi nga vendi me investime të ndaluara, sot jemi qëndrojmë në lartësitë më të mëdha në botë për investime të huaja për frymë, çka bën që të mos rritet por të bjerë papunësia në një kohë kur ju dëgjoni çdo ditë lajme se çfarë flitet për papunësinë sot në vendet më të zhvilluara. Pra, nuk mund të pengojë projektet më të mëdha të zhvillimit në infrastrukturë, nuk mund të pengojë projektet e mëdha të zhvillimit në arsim, nuk mund të pengojë projektet e mëdha të Shqipërisë dixhitale. Në vitin 2005 të dashur miq ne kishim një përdorim interneti qesharak, 4.8 për qind nga më të ulëtit në botë, kishim një përdorim të celularit 38 për qind të barabartë më disa vende të humbura, sot ku jemi, jemi në nivelin europian me mbi 60 për qind dhe shumë shpejt po përgatisim të jemi një nga vendet më të pakta në botë që japin internet falas dhe do e japim në mbi 1 mijë e 200 zyra në mbarë vendin. Do të bëjmë gjithçka që të shitet në çmimet më të ulëta të mundshme pasi do të importojmë sasitë maksimale dhe jemi përgatitur me ndërhyrje publike, ne nuk pengojmë iniciativën e lirë, por për politika zhvilluese të caktuara ne mbajmë qëndrimet më agresive për ti realizuar dhe shumë shpejt, vënia në funksionim një rrjeti kombëtar që do të furnizojë internet me bandë super të gjerë, janë shkrirë kabllot në të gjitha linjat e tensionit të lartë me fibër optike e cila do të çojë internet në miljen e fundit, në të katër anët e vendit, në mënyrë që ju të keni internet me shpejtësinë më të madhe me çmimin më të ulët se të çdo vendi tjetër. Janë mbi 120 projekte që financohen nga qeveria në mënyrë që të modernizohet çdo lloj shërbimi dhe ta shndërrojmë atë në shërbim dixhital dhe këtu për fat të mirë, vota bllokuese nuk mund ta bllokojë. Po bëjmë gjithçka për të thithur investime të huaja dhe të dhënat janë se ato janë dyfishuar këtë vit krahasuar me një vit më parë dhe do të dyfishohen. Vitin e ardhshëm fillojnë disa projekte ndër më të mëdhatë në Europë, në Shqipëri si ç’është Kaskada e Devollit 1 miliardë Euro investim, mund të fillojë gazsjellësi Trans-Adriatik dhe janë një seri projektesh të tjera të mëdha të cilat do të krijojnë me qindra e mijëra vende pune. Këto fatmirësisht nuk mund të bllokohen nga një pakicë bllokuese. Unë dua të ndalem në një moment që është më datën 6. Më datën 6 në Parlament është një votim historik, sepse votohet për heqjen e imunitetit të ministrave, të qeveritarëve, të deputetëve, të gjyqtarëve ka një rëndësi të jashtëzakonshme për luftën kundër korrupsionit. Në të vërtetë imuniteti është një mur që pengon luftën e korrupsionit të këtyre zyrtarëve sepse dekurajon prokurorinë, për të nisur hetimin ndaj një njeriu që është me imunitet, e bën të pasigurt përpjekjen e tij të ndershme për të zbatuar ligjin sepse ka përpara murin e imunitetit, mur i cili i ndan qytetarët në një grup në shoqërinë e barabartë para ligjit dhe qeveritarët e pabarabartë me ta para ligjit dhe që historikisht ai ka rënë duke u hequr, duke u eliminuar. Ndaj dhe ne kemi një debat që nga viti 2003 për heqjen e imunitetit. Ne kemi qenë në opozitë dhe kemi dërguar në parlament për heqjen e imunitetit. Në vend se të na falënderonte qeveria për iniciativën, e kundërshtoi dhe e hodhi poshtë. Ne erdhëm në pushtet dhe duhet t’u faktonim shqiptarëve se ne jemi të gatshëm të jemi të barabartë me ju përpara ligjit, të zhvishemi nga mburoja e imunitetit dhe sollëm ligjin në 2005-ën. Opozita e kundërshtoi dhe tha – Jo, nuk bëhet me këtë ligj duhet të ndryshojë Kushtetuta. Në vitin 2008 kur po bënim reformën Kushtetuese shumë të rëndësishme, shumë të gjerë, kërkova në mënyrën më insistuese që të përfshijmë edhe imunitetin, përsëri Edi Rama e kundërshtoi dhe unë pastaj mendova që të paktën realizojmë këto ndryshime dhe kjo të mbetet për një rast të dytë. Para një viti, specialistë të Këshillit të Europës, Komisionit të Venecias të cilët kanë ekspertizën më të madhe në këtë drejtim, kërkuan që imuniteti të hiqet me ndryshimin e Kushtetutës dhe ne e pranuam. Ne e pranuam dhe sigurisht kur ka kundërshti, njëra palë bën lëshime, dhe ne bëmë lëshim. Dakord, ndryshim, ramë dakord, përsëri kryetari i PS-së kundërshton. U bë një seancë dëgjimore e shkëlqyer në Parlament, me specialistë të huaj, vendas dhe me të gjithë, dhe në atë seancë pa përjashtim të gjithë kërkuan heqjen ose kufizimin e imunitetit dhe me qenë se disa nga këto mendime përkonin me mendimet e PS, unë porosita përfaqësuesit tanë, që të pranonin propozimet e tyre dhe u ulën dhe pranuam çdo propozim. Tani prapë thotë – Jo. Tani është jashtëzakonisht absurde. Sepse duke ditur që s’fiton dot në 2013, tani kërkon një Kushtetutë që të bëjë më pushtet pakicën, por kjo thyen rregullin më themelor të sistemit demokratik, sipas të cilit shumica qeveris pakica kontrollon. Ky kërkon që Presidenti, për zgjedhjen e të cilit bashkërisht ramë dakort që në 2 raundet e fundit të zgjidhet me 50+1, domethënë me gjysmën e votave +1. Kryeprokurori, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, pra të gjithë krerët e institucioneve të zgjidhen me 3/5, pra faktikisht të ndodhë ajo që na ndodhi me Ombudsman-in, që ne e lamë dy vjet më parë I thamë zgjidhe zotëri cilin të duash ti se ne nuk paraqesim kandidat me qenë se ne nuk kemi 3/5 ne kemi 50+1 por ne pranojmë të jetë i juaji dhe ky e la 2 vjet pa krye Ombudsman-in. Ky është shkatërrimi i shtetit. Ose pastaj është diktati I pakicës, por kjo nuk mund të pranohet, kjo nuk ekziston në asnjë vend të botës. Sundimi i pakicave është sundimi i diktaturave dhe diktaturat, për definicion, janë sundime pakicash, ose s’pranojnë zgjedhje dhe gjejnë mekanizma. Por ne këtu Shqipërisë nuk mund t’ia bëjmë një gjë të tillë ndaj dhe shpreh keqardhje se nuk voton në mënyrë që të bllokojë statusin. Një ditë thotë se duhet të pranohen kërkesat tona për Kushtetutën e pakicës, që s’e pranon kush në botë. Të gjitha luftërat që kanë bërë njerëzit për liri i kanë bërë për të hedhur mënjanë kushtetutat e pakicave, qofshin ato nga pushtuesit e brendshëm, qofshin ato nga pushtuesit e jashtëm. Një ditë tjetër thotë se u pranuan ato tonat, por data 6 nuk është caktuar nga ne. Data 6 është votuar në Parlament pa asnjë kundërshtim më datën 12 Korrik. Një ditë tjetër thotë - Jo, kjo nuk e bllokon procesin e statusit. Ja u them unë që e bllokon, përse e bllokon, sepse kjo u thotë europianëve të cilët kanë edhe ata problemet e tyre me korrupsionin, që ky grup politik në këtë vend është kundra luftës së korrupsionit. Atëherë ata kanë të drejtë të thonë çfarë të duan në një kohë kur në vendet e tyre, në Itali ndiqet Kryeministri, në SHBA kudo, nuk ekziston kjo. Pra, ky është mesazhi më i keq, që ne mund t’u çojmë partnerëve tanë europianë. Do thoni se pjesë e shqiptarëve është opozita. Natyrisht që shqiptarët në vitin 2013 do t’i japin një leksion edhe më të hidhur se sa në vitin 2011 për këtë duhet të punojmë të gjithë bashkë. Çfarëdo që ne kemi realizuar, ne jemi përpjekur që të zbatojmë programin tonë, por duhet të rendim së bashku pas çdo vote, pas çdo mendje, pas çdo zemre të qytetarëve të këtij vendi për të pasur një fitore të merituar për ne dhe për vendin. Edhe një herë ju uroj pushime të mbara dhe shpreh shumë kënaqësi që u takova sot me ju!”. * Fjala e Kryeministrit Sali Berisha para të rinjve të FRPD-së në kampingun veror “Blue Marine” në plazhin e Drimadhes (Dhërmi).

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›