E Diel, 1 Nëntor 2026

“Asgjë nuk do të pengojë rrëzimin e murit të korrupsionit me votën e lirë të qytetarëve”

06-08-2012 / Gazeta 55

PD, apel Edi Ramës të lejojë sot deputetët të votojnë heqjen e imunitetit Partia Demokratike ftoi sërish dje kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, “të mos bllokojë nesër (sot) heqjen e imunitetit dhe procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, por të lejojë  grupin e tij që të votojë ligjin e miratuar me konsensus të plotë të përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për heqjen e imunitetit, si një interes jetik i çdo qytetari shqiptar”. Në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi, tha se Partia Demokratike fton Edi Ramën të shndërrojmë datën 6 Gusht në një ditë të bardhë për çdo shqiptar, duke hequr imunitetin dhe shembur me votën tonë murin e zi të korrupsionit që nuk lejon Shqipërinë të marrë statusin e vendit kandidat. “Partia Demokratike fton kryetarin e Partisë Socialiste të mos bllokojë nesër heqjen e imunitetit për zyrtarët e vendit duke bllokuar kështu statusin e vendit kandidat,  por të lejojë deputetët e Partisë Socialiste që me votën e tyre të shndërrojnë 6 gushtin  në një fitore të vërtetë për të gjithë shqiptarët, përfaqësuesit dhe forcat e tyre politike, tha Bardhi”, u shpreh zëdhënësja e PD-së. Sipas saj, “Qytetarët shqiptare që presin me padurim të shohin ëndrrën e tyre europiane, të bëhet çdo ditë më e vërtetë, presin nga ligjvënësit e tyre të ngrihen nesër  në lartësinë e përgjegjësive të tyre dhe të mos bllokojnë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, por të votojnë për barazinë para ligjit me zgjedhësit dhe qytetarët e tyre. Ata me të drejtë presin që nesër të zgjedhurit e tyre të faktojnë para qytetarëve se ata me vullnetin e tyre do të votojnë heqjen e imunitetit, rrëzimin e murit të tij në mënyra që pas datës 6 Gusht askush të mos mund të përdorë imunitetin si mburojë për pasurimin të paligjshëm duke fshehur taksat dhe tatimet apo duke u majmur me ryshfete apo trafiqe kriminale. Duke bllokuar nesër (sot) heqjen e imunitetit, Edi Rama ju thotë qytetarëve shqiptare se ai do të bllokojë për të tretin vit marrjen e statusit të vendit kandidat, duke besuar se kështu dëmton qeverinë, ndërsa në të vërtetë ai para së gjithash shkelmon ëndrrën europiane të të gjithë shqiptarëve”. Duke ftuar dhe njëherë Edi Rama të mos bllokojë nesër (sot) heqjen e imunitetit, “Partia Demokratike garanton shqiptarët se asgjë nuk do të pengojë verdiktin e tyre për rrëzimin e murit të korrupsionit me votën e tyre të lirë”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›