Greqi, policia zbulon vilën e Alket Rizait
ATHINE - Shqiptari i arratisur me helikopter nga burgu Koridhalos, Alket Rizai është rikthyer përsëri në qendër të vëmendjes së mediave greke, pasi policia zbuloi vendstrehimin e përdorur prej tij deri pak ditë më parë. I shumëkërkuari nga Shqipëria së bashku me të arratisurin tjetër Vasilis Paleokosta kanë qëndruar "nën hundën" e policisë në një vilë dykatëshe në fshatin Alepohori, në perëndim të Athinës. Me praninë e një prokurori të Athinës, policia greke kontrolloi banesën ku u konfirmua se ndodheshin gjurmët e gishtave të Alket Rizait dhe mikut të tij të arratisë, shtetasit grek Vasilis Paleokosta. Të dy ata kanë qëndruar në vilën 2-katëshe deri pak ditë më parë, kur duke lëvizur në zonë me një "Tuareg" me targa të vjedhura, nuk i ndaluan një patrulle policie e cila më pas qëlloi mbi ta. Më vonë automjeti i drejtuar nga Alket Rizai, u gjet i braktisur. Më shumë se 500 forca të policisë krehën gjithë zonën, derisa gjetën banesën ku ishin fshehur të kërkuarit. Rizai dhe Paleokosta i shpëtuan përsëri arrestimit, duke arritur të largohen në kohë prej ndjekjes së policisë. Kjo e fundit ka pohuar se dy të arratisurit më 22 shkurt 2009 kanë qëndruar në vilën 2-katëshe deri pak ditë më parë. Ata mësohet se janë të armatosur dhe të pajisur me mjete të shumta komunikimi. Në makinën e braktisur nga Rizai e Paleokosta, janë gjetur një automatik Kallashnikov, pesë telefona celularë dhe shenjat e gishtave të dy personave të shumëkërkuar. Gjatë ndjekjes së tyre policia gjeti vilën e strehimit, një objekt banimi 2-katësh në qendër të fshatit, marrë me qira disa muaj më parë nga një grua e dyshimtë, për të cilën besohet se është një bullgare, mikeshë e Alket Rizait. Ajo dyshohet se ka ndihmuar edhe arratisjen e dytë të Alket Rizait me helikopter, duke prenotuar mjetin fluturues si dhe duke paguar 10 mijë euro për shërbimin e tij. Gjatë kontrolleve në vilën 2-katëshe janë gjetur shenjat e gishtave të dy personave. Ndërsa policia po kontrollon gjithçka në zonë, mediat aludojnë se të arratisurit mund të kenë arritur të strehohen në Kroaci.