U akuzua për vrasje, gjykata i jep pafajësi
TIRANE - Gjykata e Tiranës, i dha pafajësi dje Gugash Tresës, të akuzuar për veprën penale të "vrasje me dashje mbetur në tentativë" dhe "mbajtje pa leje te armëve luftarake". Verdikti që liroi nga akuzat e ngritura nga Prokuroria për Tresën, u shpall ditën e djeshme nga gjyqtari Ilir Çeliku. Pasi shqyrtoi të gjitha provat dhe pretendimet e të dyja palëve, gjykata vlerësoi si të pafajshëm Gugash Tresën. Ngjarja për të cilën ai akuzohej ka ndodhur në muajin tetor të vitit të kaluar. Gjithçka ka ardhur pas një konflikti që ka precipituar në një konfrontim fizik mes dy prej familjarëve të Tresës dhe disa pjesëtarëve të familjes Harizaj. Sherri ka ndodhur pak minuta pasi mes dy familjeve ishte zhvilluar një proces gjyqësor në Gjykatën e Tiranës për një konflikt pronësie mes tyre. Fillimisht Luan, Aleksandër dhe Vladimir Harizi kanë shkëmbyer fjalë me Petrit, Shpëtim e Gugash Tresës e më pas janë përballur fizikisht, ku kanë mbetur të plagosur dy familjarët e Gugashit. Sipas akuzës, po këtë ditë Gugash Tresa ka qëlluar me armë për të vrarë Aleksandër Harizin. ar.ba