Nuk shkon më kështu
Skënder Shëngyli përfundimisht ka vendosur që sot t’i thotë lamtumirë Vëllaznimit. Trajneri i njohur prizrenas sot do të qëndrojë vetëm për pak kohë në stadiumin e qytetit të Gjakovës sa për t’u përshëndetur me futbollistët, me të cilët sivjet bashkërisht këndellën Vëllaznimin, duke ia mësy titullit të kampionit.
Këtë e ka konfirmuar vetë Shëngyli për Express, i cili pohoi se me kryesinë aktuale të Vëllaznimit është e vështirë të arrihet titulli i kampionit.
“Sot ( e martë) u përpoqa të takohem me anëtarët e kryesisë, por ata ishin të zënë. Kështu që nesër (e mërkurë) do shkoj në seancën stërvitore vetëm sa për t’u përshëndetur me futbollistët dhe për t’u uruar suksese atyre në vazhdim të kampionatit”, deklaroi Shëngyli të martën për Express.
Sipas tij, disa nga anëtarët e kryesisë së Vëllaznimit nuk e kuptonin rolin e tij si trajner të klubit. Andaj, mungesa e bashkëpunimit e ka detyruar Shëngylin ta braktisë klubin kuq e zi. “Me këtë menaxhim të kryesisë, në përjashtim të disa individëve, është e pamundur të arrihet titulli i kampionit, edhe nëse Fabio Capello emërohet trajner”, tha Shëngyli.
“Krerët e klubit punonin pa u konsultuar fare me mua. Ata vendosnin për gjithçka. Ata i përcaktonin pagat dhe i përcaktonin futbollistët se cilët nga ta duhet të merrnin paga e cilët jo. Pas ndeshjes me Prishtinën vetëm rreth njëmbëdhjetë lojtarëve u dhanë paga, por jo edhe tjerëve. Kështu ata krijonin ndarësi në ekip. Ata edhe kritikonin pa arsye dhe kurrë nuk e jepnin asnjë lëvdatë”, vazhdoi ish trajneri i Prishtinës.
Pas dymbëdhjetë xhirove të udhëhequr nga Skënder Shëngyli, kuqezinjtë kanë arritur në kuotën e 22 pikëve, katër më pak sesa lideri aktual, Prishtina. Shëngyli pohon se e ka arritur maksimumin me këtë skuadër. Ai pohoi se me fondin aktual të futbollistëve nuk ishte real objektivi i Vëllaznimit për ta ndjekur titullin e kampionit.
Në anën tjetër, udhëheqësit e klubit shpresojnë që Shëngyli të ndryshojë mendjen. “Ne besojmë se Shëngyli do të vazhdojë punën ashtu siç ka punuar deri më tani”, theksoi drejtori i klubit, Ahmet Morina.
Sidoqoftë, Bylbyl Sokoli pritet ta zëvendësojë Shëngylin në krye të shtabit teknik. “Nuk dua të komentoj rreth kontakteve dhe rreth kësaj çështjeje. Skënderi është duke punuar mirë. Është sukses i tij për faktin se me atë fond të futbollistëve ia ka dalë të ngjitet në pjesën e epërme të tabelës me një diferencë të vogël pikësh prej liderit, Prishtinës”, ka thënë Sokoli.