E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustedanagiç drejton Shqipërinë

Federata Shqiptare e Futbollit ende nuk është përcaktuar për pasardhësin e Josip Kuzes. Nëse edhe në ditët e ardhshme nuk zgjedhin selektorin e ri, drejtuesit e futbollit shqiptare paralajmërojnë se kuqezinjtë në dy ndeshjet miqësore kundër Azerbajxhanit dhe Maqedonisë do t’i drejtojë ish ndihmësi i kroatit, Dzemal Mustedanagiç.

Vazhdojnë dilemat për trajnerin e ri të Kombëtares shqiptare. Edhe pse ishte paralajmëruar se pasardhësi i Josip Kuzes do të emërohej javën që e lamë pas, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Shumë trajnerë po përmenden si kandidatë të mundshëm për bankinën e ekipit kuqezi, si: Besnik Hasi, Matjaz Kek, Srecko Katanec, Erwin Koeman, Manolo Jimenez e Enriko Fabbro, por drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) ende nuk janë përcaktuar për trajnerin e ri.

“Deri më tani asgjë nuk ka të re rreth emërimit të trajnerit. Kemi menduar se do të zgjidhet shpejt çështja e trajnerit, por si duket do të na marrë kohë më shumë. Megjithatë, besoj se gjatë kësaj jave do të zgjidhet trajneri i ri”, ka thënë për Express sekretari i përgjithshëm i FSHF’së, Eduard Prodani.

Derisa shtëpia e futbollit shqiptar po mendon për trajnerin e ri, ekipit kuqezi nuk i ka mbetur edhe shumë kohë të grumbullohet para dy ndeshjeve miqësore kundër Azerbajxhanit (11 nëntor) dhe Maqedonisë (15 nëntor).

Nëse edhe në ditët e ardhshme nuk zgjedhin trajneri i ri, drejtuesit e futbollit shqiptar thonë se kuqezinjtë në dy ndeshjet miqësore të radhës do t’i udhëheqë ish ndihmësi i Josip Kuzes, boshnjaku Dzemal Mustedanagiç.

“Nëse nuk arrijmë ta zgjedhim trajnerin e ri brenda këtyre ditëve, atëherë në ndeshjen e radhës me Azerbajxhanin, por edhe Maqedoninë, ekipin do ta drejtojë trajneri i dytë, Dzemal Mustedanagiç”, ka theksuar Prodani.

Mustedanagiç njeh mirë ekipin kuqezi, derisa i kishte udhëhequr ata në ndeshjen kundër Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Bjellorusisë në kuadër të eliminatoreve për ‘Euro 2012’, në kohën kur Josip Kuze ishte i sëmurë.

Që prej largimit të strategut kroat, kandidat kryesor për ta marrë drejtimin e Shqipërisë është ish futbollisti i ekipit kuqezi Besnik Hasi. Por, sipas medieve shqiptare, bisedimet mes ndihmëstrajnerit të Anderlechtit dhe presidentit të FSHF’së, Aramnd Duka, kanë ngecur.

Kosovari ende nuk ka sqaruar situatën me drejtuesit e klubit belg për prishjen e kontratës dhe gjithashtu ende nuk ka gjetur gjuhë të përbashkët rreth kohëzgjatjes së kontratës me ekipin kuqezi.

Pavarësisht kandidatëve tjerë dhe zvarritjes së këtij procesi, Besnik Hasi ende mbetet farorit për ta marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare.

Tërhiqet Kek

Njëri nga kandidatët për ta marrë drejtimin e Shqipërisë, slloveni Matjaz Kek, si duket është tërhequr nga drejtimi i mundshëm i ekipit kuqezi. Ai ka thënë se nuk e imagjinon duke udhëhequr Kombëtaren shqiptare kundër përfaqësueses së Sllovenisë, të cilën e kishte drejtuar deri në muajin e kaluar.

”Kontakt zyrtar nuk ka, edhe pse ka pasur disa biseda për këtë. Kjo më ka bërë të imagjinoj se është e pamundshme ta drejtoj Shqipërinë në Maribor në kualifikimet e reja kundër Sllovenisë. Në anën tjetër, unë jam profesionist. Ndoshta në të ardhmen ai moment do të vijë, por jo kaq shpejt”, ka thënë Kek në një intervistë për mediat sllovene.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›