E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk tolerohen vonesat, tragetet do nisen në orën e caktuar

DURRËS Katër struktura të ndryshme që operojnë në portin e Durrësit, në bashkëpunim me shoqëritë e lundrimit që kryejnë linja të ndryshe, duke lidhur portin e Durrësit me porte të vendeve fqinje, kanë vendosur nisjen e trageteve ashtu siç parashikohet në biletë. Kjo do të thotë se nuk do të tolerohen më vonesat, siç ka ndodhur rëndom në të kaluarën, ku në mjaft raste tregatet që nisen nga Durrësi drejt portit të Barit në Itali, të nisen me 4-5 orë vonesë. Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Eduard Ndreu, ka theksuar në konferencën e përbashkët për shtyp me drejtorin e degës së doganës, të Policisë Kufitare dhe Migracionit, si dhe të drejtorisë detare, se portat e terminalit të trageteve do të mbyllen në orën 22:30 dhe pas kësaj ore nuk do të lejohet të hyjë më askush, megjithëse mund të ketë biletë të kësaj date. Kjo bëhet me qëllim që nisja e trageteve të bëhet në orën fiks, siç është shënuar në biletë dhe të mos penalizohen mijëra pasagjerë, për shkak të 5 apo 10 pasagjerëve që vijnë me vonesë për arsye të ndryshme. Kjo gjë është diskutuar edhe me agjencitë e udhëtimit, të cilat do të njoftojnë pasagjerët që të marrin masa për të qenë në terminal para kësaj ore, sepse ndryshe do tu digjet bileta dhe nuk do të kenë mundësi që udhëtojnë drejt Italisë në datën e caktuar. Drejtori ekzekutiv i APD-së, Eduard Ndreu, ka theksuar se në bashkëpunim me kompaninë që ndërton terminalin e trageteve do të vendosen hapësira të tjera më të mëdha, në dispozicion të automjeteve gjatë procesit të imbarkimit dhe zbarkimit. Mjetet lundruese të udhëtarëve, tragetet dhe katamaranët, do të kenë prioritet në hyrje dhe në dalje të basenit portual, krahasuar me anijet tregtare të mallrave në mënyrë që të shmangen vonesat në hyrje dhe dalje nga porti i Durrësit. Edhe drejtuesit e tjerë të pranishëm në këtë konferencë për shtyp kanë deklaruar se janë marrë masa që çdo gjë të shkojë sipas parashikimit, në mënyrë që të mos ketë asnjë vonesë në përpunimin e pasagjerëve dhe mjeteve që do të vijnë në kohën e fluksit të emigrantëve, që vijnë në atdhe për të kaluar pushimet e verës. A.K.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›