Pinari: Kontratën për Gërdecin, me porosi të këshilltarit të ministrit
Tiranë Ish-drejtori i ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari, ka vazhduar sërish në seancën e djeshme të hedhë dritë mbi procedurat e ndjekura nga institucioni që ai drejtonte dhe Ministria e Mbrojtjes, për kontratat e demontimit të predhave. Pinari, i cili konsiderohet si një nga të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci” është pyetur gjatë seancës së djeshme për dy momente kryesore të procesit, që u pasua nga lidhja e kontratave për demontimin e predhave me kompaninë amerikane “SAC”. Fillimisht, prokurorët kanë pyetur ish-drejtorin e ndërmarrjes “Meico”, lidhur me rolin që ai ka pasur në negocimin dhe firmosjen e dy kontratave që kishin si qëllim demontimin e predhave. Gjatë dëshmisë, Pinari ka pohuar se ka lidhur kontratën pa dalë ende urdhri i ministrit, por ky veprim është bërë në kuadër të marrëveshjes me administratorin amerikan të kompanisë “SAC”, Patrick Henry. Sipas Pinarit, amerikani Henry ka ardhur në Tiranë në muajin janar të vitit 2007 dhe ka paraqitur një projekt që kishte hartuar për demontimin e municioneve. Ky projekt i detajuar është prezantuar nga vetë Patrik Henri në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, ku të pranishëm kanë qenë edhe të paktën 6 drejtorë të kësaj ministrie. Tre muaj pas prezantimit të këtij projekti, Pinari pranoi se ka firmosur kontratën e parë me kompaninë amerikane “SAC” për demontimin e municioneve. Por një gjë të tillë, sipas tij, e ka bërë me porosi të këshilltarit juridik të Ministrit të Mbrojtjes të asaj kohe, pa dalë më parë urdhri i ministrit për kalim municioni te ndërmarrja “Meico”. Një veprim i tillë, sipas Pinarit, është bërë që të garantohej interesi i shprehur nga amerikani Patrik Henry për demontimin e municioneve. Një çështje tjetër e rëndësishme, që është prekur nga prokurorët gjatë seancës së djeshme, ka qenë edhe përcaktimi i Gërdecit si vendi ku do të ushtrohej veprimtaria e demontimit të predhave. Lidhur me këtë pyetje, ish-drejtori i ndërmarrjes “Meico” tha se vendi i demontimit të municioneve është përcaktuar me anë të një memoje të ardhur nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas tij, memoja që i adresohej ndërmarrjes Meico që ishte ngarkuar me përmbushjen e kontratës për dhënie municionesh mbante datën 13 prill të vitit 2007. Dëshmia e djeshme e Ylli Pinarit është vazhdim i dëshmisë së nisur dy seanca më parë, kur ish-drejtori i ndërmarrjes “Meico” ka sqaruar të gjitha kontratat që kjo ndërmarrje ka pasur ndër vite për demontimin e municioneve. Sipas tij, në shumicën e kontratave për demontim, ato janë ekzekutuar në uzinat dhe ndërmarrjet shtetërore, si në Poliçan, Gramsh dhe Mjekës, procese këto që kanë përfunduar me sukses. Dy seanca më parë, Pinari deklaroi se pas shprehjes së interesit nga amerikani Patrik Henry, pala shqiptare kishte dërguar me postë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mostrat e fishekëve që do t’i nënshtroheshin procesit të demontimit. Për herë të parë në këtë proces dëshmoi edhe Mihal Delijorgji, i cili në pjesën e fundit të dëshmisë ngarkoi me përgjegjësi amerikanin Patrik Henri, që sipas tij përgjigjej për anën teknike dhe sigurinë në fabrikën e demontimit të predhave në Gërdec.
Mihal Delijorgji
Administratori i “Albademil” ka dëshmuar në dy seanca para gjykatës, versionin e tij për tragjedinë e Gërdecit. Delijorgji ka bërë me “faj” amerikanin Patrick Henry, duke e cilësuar atë përgjegjës për kushtet e sigurisë në punishte.
Dritan Minxolli
Drejtori i fabrikës së vdekjes në Gërdec ka kërkuar gjatë dëshmive të tij në gjykatë marrjen në pyetje të Patrick Henry-t. Minxolli e ka akuzuar atë si përgjegjës për ngjarjen, duke kritikuar gjykimin me dy standarde në këtë proces