E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri banal, ekzekutohet me armë në mes të qytetit 25-vjeçari

SHKRUAN: Ervin Haruni 02-07-2011 12:02

VLORË Një 25-vjeçar nga Vlora është vrarë për motive të dobëta mesditën e djeshme në Vlorë, në një nga rrugët kryesore të qytetit të Vlorës. Altin Nelaj, po udhëtonte me automjetin e tij tip ford mondeo, me targa të huaja italiane, AA 060GN, në zonën e Vlorës në rrugën nga sahati i qytetit për në hyrje të qytetit, në rrugën e re ku është një rrugë e populluar për shkak se në këtë zonë qëndrojnë automjetet furgona të linjës Vlorë-Tiranë. Viktima Nelaj në këtë zonë është përplasur me autorin. Të dy kanë dalë nga makina dhe kanë debatuar për disa momente në mes të rrugës, në vendin e njohur si rrugë e Re, pranë vendparkimit dhe nisjes së furgonëve interurbanë në drejtim të Tiranës. Pas debatit autori, identiteti i të cilit është zbuluar nga policia, por për shkak të hetimeve për kapjen e tij nuk bëhet i ditur, ka nxjerrë armën tip Pistolete zaztava dhe e ka qëlluar të riun vetëm me një plumb në afërsi të zemrës. Autorët e ngjarjes menjëherë janë larguar nga vendngjarja në këmbë, duke humbur nëpër rrugicat e lagjeve në atë zonë, ku ka lënë edhe automjetin e tij. Viktima prej 8 muajsh kishte hapur një biznes të vogël përballë shkollës së mesme “Halim Xhelo”, ku në ambientet e këtij dyqani ai kishte disa kompjutera, si dhe një bar të vogël ku shërbente vetë.

Dy vëllezërit

Po dje policia ka shpallur në kërkim Ardemir dhe Geno Trokaj, përkatësisht 30 dhe 25 vjeç. Shpallja në kërkim e këtyre shtetasve (vëllezër) u bë për arsye se dyshohet të jenë autorë të vrasjes së ndodhur ditën e djeshme. Nga hetimet intensive të kryera nga specialistë të hetimit të krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë, ka rezultuar se shtetasi Ardemir Trokaj, në bashkëpunim me vëllain etij, Genon, dhe dy persona të tjerë, kanë zbritur nga një automjet tip Ford Mondeo me portobagazh, me ngjyrë jeshile me targa italiane, AH 060 GM., ka ndaluar viktimën i cili po ecte në këmbë dhe pas debatesh për motive të dobëta, ka nxjerrë një pistoletë tip “Miniblou” dhe ka shtënë mbi viktimën një herë duke e lënë të vdekur. Menjëherë autorët janë larguar në këmbë duke lënë në vendin e ngjarjes dy automjete, një Ford Mondeo (automjeti I sipërcituar) dhe një tjetër tip fuoristradë Mercedes-Benz, ngjyrë e zezë me targa VL 0566 D, pak minuta më pas të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Ata akuzohen për veprën penale “Vrasje me paramendim”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” të kryera në kushtet e bashkëpunimit.

Shoqërimi

Pas plagosjes viktimën e kanë transportuar një makinë e rastit, tip Opel Corsa, me targa të Vlorës, ngjyrë gri. Dy të rinjtë që ndodheshin në makinën opel e kanë marr viktimën dhe pasagjeri i automjetit e ka mbajtur në sedilen e parë të automjetit, duke i vendosur dorën në plagën e shkaktuar nga arma e zjarrit, për të bërë të mundur parandalimin e rrjedhjes së shumtë të gjakut, por megjithë ndihmën e qytetarëve që e transportuan në spital, nuk ka qenë i mundur shpëtimi i jetës së të riut, i cili në momentin që ka mbërritur në spital ka ndërruar jetë. Sipas mjekëve të spitalit, të cilët e shtruan menjëherë në sallën e operacionit, plumbi ishte vetëm pak milimetra nga zemra, duke i kapur arteriet kryesore të gjakut, arterie të cilat shkojnë në zemër duke i shkaktuar një hemorragji të madhe të gjakut e për pasojë vdekjen. Policia ka mbërritur në vendngjarje vetëm pak sekonda, pasi komisariati është vetëm pak metra larg vendit të ngjarjes, dhe ka konkluduar pas veprimeve hetimore se i riu është qëlluar me një armë të tipit pistoletë.

25-vjeçari Altin Nelaj është transportuar për në morgun e spitalit, ku i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, për të përcaktuar saktësisht edhe llojin e armës. Burime nga policia konfirmojnë se autori dhe viktima kishin njohje mes tyre, por ende nuk dihen qartësisht arsyet e vrasjes. Blutë kanë marrë në pyetje dëshmitarë të ngjarjes, duke pasur parasysh se zona në momentin e ngjarjes ka qenë tejet e populluar. Gjithashtu janë marrë në pyetje edhe familjarë të viktimës, por ende s’është zbardhur arsyeja e vrasjes, e cila mendohet të ketë qenë sherr banal i momentit mes dy të njohurve, që më tej ka përfunduar në vrasje nga gjaknxehtësia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›