E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk trembet nga Barcelona

Sir Alex Ferguson nuk i trembet kundërshtarit të finales së Ligës së Kampionëve, Barcelonës. Menaxheri i Manchester United insiston se ka në dispozicion një skuadër që mund t’i shkaktojë probleme katalunasve. Nëse lojtarët e tij ia dalin ta ndalin treshen Mesi-Xavi-Iniesta, trajneri skocez mendon se ‘Djajtë e Kuq’ do të triumfojnë. Nga Express më 11 maj 2011 në ora 09:59

Pasi e vendosi në ‘kasafortë’ titullin e kampionit në Angli, menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka filluar të përgatitet për finalen e Ligës së Kampionëve.

Trajneri skocez ka respekt maksimal për kundërshtarin e finales, Barcelonën, por kërkon kujdes edhe nga ekipi i tij, i cili jo rastësisht u kualifikua në finalen e Wembleyt.

“Të gjithë e dimë se çfarë skuadre e madhe është Barcelona, por në këtë finale është edhe Manchester United. Kemi lojtarë që mund t’i shkaktojnë probleme çdo skuadre, shpresojmë që këtë ta bëjnë edhe ndaj Barçës”, nënvizoi ai për të përditshmen amerikane ‘Sirius XM’.

“Të gjithë thonë se nuk jemi skuadër e fortë, por ne kemi shënuar më shumë gola se çdokush tjetër. Në shtëpi ishim të mahnitshëm, jemi të pamposhtur në Evropë, jemi në finale të Ligës së Kampionëve dhe na mjafton një pikë për ta fituar kampionatin”, tha Ferguson.

Rezultatet dhe statistikat tregojnë se United i ka të gjitha mundësitë që ta kërkojë titullin e kampionit të Evropës. Ferguson, i cili ndihet i kënaqur me atë që po e bëjnë lojtarët e tij, pret një finale ndryshe nga ajo e dy vjetëve më parë, të cilën e fitoi Barça në Romë.

“E patëm nisur mjaft mirë lojën, më pas e pësuam një gol dhe nga ai moment Barcelona e mbajti topin siç e mban gjithmonë. Ajo që duhet ta bëjmë tash është që ta gjejmë një zgjidhje për ta ndalur treshen Xavi-Messi-Iniesta”, shtoi ai.

Në fund, Ferguson ka ‘shpërndarë’ lëvdata për menaxherin e Chelseas, Carlo Ancelotti, pozita e të cilit te klubi londinez është në rrezik.

“Nëse do të shkarkohej, nuk do të befasohesha, por do të tronditesha. Është një trajner që ka fituar Ligën e Kampionëve dy herë, ka fituar tituj kampioni, ka fituar dy trofe për një sezon në Angli vitin e kaluar. Përse do të duhej të shkarkohej? Nuk e kuptoj”, tha në fund Ferguson.

Ndeshja finale ndërmjet Manchester United dhe Barcelonës do të zhvillohet më 28 maj në stadiumin Wembley.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›