Zanetti 1000

Për Javier Zanettin Interi është më shumë se një skuadër. Fanella Nerazzurre për të është shndërruar në lëkurë të dytë. Më shumë se argjentinas, ‘Pupi’ është interist. Interi është gjithçka për të dhe ai është gjithçka për interistët.
Karriera e Zanettit, herët ose vonë, do të përfundojë. Dhe, kur ai do ta veshë për herë të fundit fanellën, numri 4 tek Inter do të përfundojë përgjithmonë. Për veteranin e futbollit e mërkura do të jetë një ditë e veçantë.
Ndaj Romës, në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, ai do ta zhvillojë ndeshjen numër 1 mijë në karrierë, një shifër kjo që do t’ia merrte lakmi çdo futbollist tjetër. Kjo arritje e tij nuk ka ndonjë sekret.
“Ushtroj së bashku me skuadrën gati dy orë në ditë. E jap gjithmonë 100 përqindëshin në stërvitje dhe në ndeshje”, thotë legjenda e Interit për ueb faqen fcinternews.it.
Ai nuk e ka ndërmend të largohet nga Inter. Zanetti planifikon ta përfundojë karrierën te klubi ku fitoi gjithçka, edhe pse në Argjentinë e thërrasin për ta përfunduar karrierën atje.
“Nuk mendoj se do ta përfundoj karrierën atje. Unë ndihem mjaft mirë në Inter, ku jam që 16 vjet. Ky klub më ka dhënë gjithçka. Të jem kapiten këtu është një përgjegjësi e madhe. Andaj do ta përfundoj karrierën në Inter”, shtoi ai.
Edhe pasi ta përfundojë karrierën, ai nuk do të largohet nga Italia, por thotë se do të ketë mundësi që të shkojë më shpesh në Argjentinë. Përfaqësuesja argjentinase është mjaft e rëndësishme për Zanettin, i cili e mban rekordin e paraqitjeve te Seleccion.
“Kur e veshi fanellën bardh e kaltër dhe kur intonohet himni i përfaqësueses, e përfaqësoj Argjentinën dhe e ndiej vendin tim në krahë”, thotë ai.
Zanetti e konsideron Lionel Messin si lojtarin më të mirë në botë dhe të veçantë nga të tjerët. Legjenda tjetër argjentinase, Diego Armando Maradona, nuk e kishte ftuar Zanettin në Botërorin e Afrikës së Jugut. Këta të dy nuk flasin nga ajo kohë, por futbollisti i Interit thotë se nuk ka asnjë problem me ish selektorin argjentinas.
Zanetti planifikon të luajë në Copa America, e cila do të mbahet këtë verë. Ajo do të luhet pikërisht në Argjentinë dhe ai synon ta fitojë këtë kompeticion të çmueshëm. Kurse, sa i përket Botërorit 2014, i cili do të luhet në Brazil, Zanetti nuk beson se do të jetë aty, pasi që do t’i ketë 41 vjet dhe deri në atë kohë planifikon të pensionohet.
Ai e pranon se do t’i mungojë futbolli, pasi ta përfundojë karrierën 20 vjeçare. Zanetti dëshiron që në të ardhmen të kujtohet si një djalë i mirë dhe për atë që gjithmonë e ka dhënë maksimumin për të mirën e fanellës që e përfaqësoi.