E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk u kthejnë tokën, 300 banorë të Orikumit në protestë

02/05/2009  Bllokojnë rrugët kryesore

Rreth 300 banorë të Orikumit kanë protestuar dje qysh në orët e para të mëngjesit. Objektivi i protestës nuk ka qenë i panjohur në zonë, pasi edhe pak ditë më parë banorët kanë protestuar për shkeljen që po i bëhet ligjit 7501. Në vijim të kësaj proteste, ata dje kanë bllokuar urën, e cila lidh Vlorën me Orikumin. Banorët thanë se ata janë të vendosur në kërkesën e tyre, duke e parë këtë kërkesë thjesht ligjore. Dikur ata kanë qenë punonjës së NB Rinia Orikum dhe si të tillë janë përfitues nga ligji 7501 për rreth 450 ha sipërfaqe. Por dhënia e këtyre tokave pronarëve të tjerë ka ngjallur reagimin e banorëve. Disa ditë më parë ata nuk lejuan përreth 2 orë bashkiakët të hynin në ambientet e bashkisë, ndërkohë që dje kanë bllokuar rrugën. Sipas tyre, nuk është vetëm ky abuzim i bërë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, por tokat që sikur kanë qenë ujë dhe shkurre sot janë të regjistruara në kategorinë e arave. Banorët thanë se do të vijojnë protestat edhe në ditë të tjera, me metoda demokratike, por duke mos lejuar askënd t’u shkelë të drejtat e tyre. Protestues të tjera thanë se kreu i bashkisë së Orikumit duhet të ishte përkrah ne, pasi e kemi votuar dhe duhet të jetë këtu, si përfaqësuesi i zgjedhur nga ne. Sipas protestuesve 460 persona punonjës të ish-ndërmarrjes NB Orikum kanë përfituar tokë në përdorim sipas ligjit 7501 mbas prishjes se Ndërmarrjes Bujqësore si gjithë të tjerët, por dhe pse është kërkuar shumë herë që kjo tokë t’u jepet në pronësi, ashtu si dhe zonës së Radhimës, Dukati dhe Tragjasit, kjo kërkesë ka rënë në vesh të shurdhër, si nga bashkia, ashtu edhe qeveria. Ndërkohë banorët kanë deklaruar se do të vazhdojnë të protestojnë dhe në ditët në vijim duke bllokuar dhe rrugën nacionale Orikum-Vlorë, si dhe Orikum-Himarë nëse nuk do të zgjidhen kërkesat e tyre, të cilat ia kanë dërguar dhe Kryeministrit para disa ditësh. Dh. Spiro

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›