E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit, burgu i Korçës në kushte jo normale

17/07/2009  Ankesat e radhës të Ermir Dobjanit, pas inspektimeve në burgje

TIRANË – Avokati i Popullit rendit problemet në burgun më të ri atë të Korçës. Ankesa për ushtrim dhune fizike, mungesë monitorimi me kamera dhe lidhje me radio, mungesë uji, ekzistenca e një ambienti fetar të përbashkët për të dyja fetë dhe disa probleme që lidhen me plotësimin e stafit, janë pikat ku është përqendruar Dobjani në konkluzione. Avokati i Popullit mbërrin në qytetin e Korçës, e pikërisht në paraburgimin e tij, për të monitoruar kushtet. Burgu i Korçës sipas Avokatit të Popullit strehon 302 të dënuar 83 prej të cilëve janë të paraburgosur. Ndërsa nuk është vënë re ndonjë mbipopullim, në këtë burg ka probleme të tjera, të cilët Dobjani i ka parashtruar në konkluzionet e dala nga inspektorët dhe ia ka paraqitur ato ministrit të Drejtësisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Gazmend Dibra. Në këtë burg ka mungesë të stafit drejtues, mjekut, psikologut. Ndërsa ajo që është vënë re është fakti se kushtet në tualetet e këtij burgu janë në gjendje të mirë, por mungon furnizimi me ujë, i cili është me orar dhe nuk arin të plotësojë nevojat e të dënuarve. Stina e nxehtë ka krijuar probleme me furnizimin me ujë të burgut, ndërkohë që Avokati i Popullit shtron nevojën e ngritjes së ujësjellësit në mënyrë sa më të shpejtë. Në I.E.V.P Korçë veçanërisht në terrenet e ajrimit të Seksionit A dhe atë të Paraburgimit është vënë re një situatë e papranueshme. Konkretisht këto terrene nuk ishin të pajisura me strehë për t’u shfrytëzuar në kohën e nxehtë dhe sipërfaqja e tyre është tepër e vogël krahasuar me ajrimet e seksioneve të tjera të burgut. Në burgun e ri mungon sistemi i ruajtjes dhe monitorimit të të dënuarve. Kjo gjë mund të shtojë rastet e dhunës në burg dhe të mosevidentimit të saj. Po në këtë burg mungon automjeti i shoqërimit ambulancë. Dobjani shprehet se është e patolerueshme që një burg me 30 të dënuar të mos ketë ambulancë. Mungon baza materiale edukative-sportive e domosdoshme për zhvillimin normal të aktiviteteve. Gjatë inspektimit të kryer u konstatua se I.E.V.P Korçë dispononte një ambient të madh për shërbime kulti, cili funksiononte i përbashkët për të gjitha besimet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›