Numër i madh votuesish pa pasaportë në Korçë
Numri i votuesve pa një dokument identiteti në qytetin e Korçës rezulton të jetë trefish më i lartë sesa ai i identifikuar në listën e zgjedhësve. Kjo është vërtetuar gjatë aplikimeve ditore që kryhen për kartat e reja të identitetit. Ky fakt është zbuluar vetëm kur nga personat që nuk kanë dokumente ka pasur kërkesa të shumta për aplikim, ndërsa emrat e tyre nuk kanë qenë të shënuar në listat e përgatitura të shtetasve që nuk kanë pasaporta. Sipas të dhënave nga qendra e aplikimeve, çdo ditë pranë kësaj zyre paraqiten persona emrat e të cilëve nuk figurojnë në listën përfundimtare të kategorisë pa asnjë dokument tjetër identifikimi. Drejtori i informimit qytetar, Mikel Llogori, deklaroi se shifrat janë fiktive. Të paktën 24 mijë votues nga verifikimet e deritanishme dhe përllogaritjet që janë bërë gjatë aplikimeve ditore rezultojnë se s‘kanë dokumente, ndërkohë që në lista shifra për Korçën tregon se janë identifikuar vetëm 8000 të tillë.