E Diel, 1 Nëntor 2026

Numërimi elektronik, Wolfarth: I parakohshëm për 2013

Kjo, sipas amabasdorit të OSBE-së në Tiranë Eugen Wolfarth, është dhe arsyeja pse ODIHR, ndryshe nga konsensusi PD-PS në komsionin e Reformës Zgjedhore, rekomandoi që ky sistem i ri të nisë të zbatohet pas 2013-ës.

Ambasadori Wolfarth theksoi se ndërsa 10 deputetët e reformës ende nuk kanë thënë fjalën e fundit për kodin, koha nuk është në favor.

"Kur fut në përdorim një sistem të ri që kërkon marrjen e hapave kompleksë, këtyre hapave u duhet dhënë koha e nevojshme, duke krijuar kështu gradualisht edhe kapacitetet për instalimin e një sistemi të tillë kompleks. Dhe koha për këtë, duke iu kthyer sërish akrepave të orës, po ecën, gjërat po ndryshojnë dhe duhen ndërmarrë shumë hapa finalizues për vënien në zbatim të këtij sistemi edhe këtu në Shqipëri.

Pra, ajo çka bëri ODIHR-i ishte dhënia e një këshille bazuar në përvojën e tij, për të garantuar sukses. Suksesi është ajo çka meriton Shqipëria, suksesi është ajo që u nevojitet qytetarëve shqiptarë. Kjo është gjithashtu edhe ajo çka do t'i nevojitet edhe Parlamentit të ri që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për të mos pasur përsëri dyshime dhe bllokime. Pra, nevojitet një sukses dhe kjo vjen me një qasje hap pas hapi, duke mos i bërë të gjitha gjërat në të njëjtën kohë", shprehet ambasadori për “Albanian Screen",

Wolfarth shprehet edhe lidhur me debatin për aplikimin e formulës, që përfshin presidentin e institucionet e tjera në përzgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së; formulë e cila ka përçarë dukshëm deri tani komisionin e Reformës.

"Propozime të tilla nënkuptojnë kthimin, të paktën pjesërisht, në sistemin e mëparshëm, ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk emërohej vetëm nga partitë. Ka arsye të mira për këtë, por kjo gjë është ndryshuar nga vetë partitë nëpërmjet vendimit të tyre të fundit. Ajo çka i duhet Shqipërisë është që të shohë përpara për t'i marrë vendimet nga një perspektivë afatgjatë dhe jo të ndryshojë gjithçka në çfarëdolloj kohe sipas dëshirës së njerëzve. Ajo që vendi duhet të shohë është një Komision Qendror Zgjedhjesh që bën një punë të mirë teknike pa ndërhyrje, sepse ndërhyrjet në punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndërsa ata janë në proces pune, është pothuajse njësoj sikur të ndërhysh në punën e policisë apo të ndërhysh në gjykimin e gjykatës", shprehet Wolfarth.

Në ditën e fundit të mandatit të komisionit Zgjedhor, Wolfarth e konsideron fakt të kryer shtyrjen e punimeve të tij. Edhe këtë herë nuk mungon apeli që procesi të jetë teknik dhe larg vendimeve politike.

"Unë do të ftoja për një veprim të qartë dhe të shpejtë, pasi nevojitet qartësi për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme dhe akrepat e orës po afrohen.
Qytetarëve të zakonshëm mund t'u duket se deri në zgjedhje ka kohë, por është shumë e rëndësishme që të bëhen përgatitjet, të cilat kanë nevojë për kohën e tyre. Kjo është punë teknike dhe nuk duhet të jetë nën asnjë lloj ndikimi politik. Nëse politikanët mund ta garantojnë këtë, në rregull. Nëse nuk e garantojnë, ata duhet të shohin të gjitha pikëpyetjet dhe pasojat e tyre dhe t'ua lënë në dorë qytetarëve që të reagojnë siç duhet. Të gjithë, jo vetëm në Shqipëri, duhet ta marrin këtë parasysh", apelon Wolfarth.

Kjo e martë ishte afati i fundit që komisioni i Reformës Zgjedhore të mbyllte Kodin e ri Elektoral. Por ngërçi që ka bllokuar palët është fokusuar deri tani në formatin dhe zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së, si edhe procesin ankimor. /Start/

                                                                                             2012-05-16 08:46
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›