E Shtunë, 31 Tetor 2026

Numërimi i votave, KQZ premton transparencë

Ndërsa ka startuar numërimi i votave për zgjedhjet e 28 qershorit, Kryetari i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Arben Ristani deklaroi gjatë mbrëmjes së djeshme në një konference për shtyp, se procesi i numërimit të votave do të funksionojë pa probleme. Mbajtja nën kontroll e vendeve të numërimit të votave VNV dhe informacioni i marrë online prej tyre do të garantojnë një proces shumë transparent, siguroi kryetari i KQZ.
 Sipas tij, vendosja e ekraneve në selinë e KQZ në lidhje të drejtpërdrejtë me të gjitha VNV në vend siguron vëzhgimin e të gjithë procesit, duke filluar me marrjen në dorëzim të kutive të votimit dhe më pas të numërimit të tyre, u shpreh kreu i KQZ. Duke informuar për votimet e zhvilluara dje, Ristani tha se në 5 QV nuk është hapur procesi i votimit, ndërsa në 3 QV të tjera ai është ndërprerë. 3 QV e dyta do të jenë në proces vlerësimi nëse do të llogariten apo jo, ndërsa për 5 QV e para është e sigurt se ato nuk do të prodhojnë rezultat dhe kjo shpjegohet në ligj. Megjithatë, procesi i numërimit të votave ka nisur me shumë vonesë, pasi shumë qendra votimi janë mbyllur me vonesë për shkak të fluksit të madh të votuesve edhe mbas orarit që duhet të mbylleshin, u shpreh Ristani. Më konkretisht, procesi i votimeve në të gjitha qendrat e votimeve është mbyllur rreth orës 20:30 të mbrëmjes së djeshme duke mbyllur të gjitha procesverbalet në këto qendra. Menjëherë më pas. qendrat e votimeve kanë filluar dorëzimin e kutive të votimeve në KZAZ. Janë grumbulluar të gjithë komisionarët dhe anëtarët e numërimit të votave në KZAZ, dhe numërimi i votave për të nxjerrë fituesin e këtyre zgjedhjeve ka nisur rreth orës 22:30 të mbrëmjes së djeshme, duke përjashtuar disa KZAZ të qarkut të Shkodrës, ku ky proces është zhvilluar më me vonesë. KQZ informon gjithashtu se gjatë transportit tw kutive tw votimit nuk ka pasur asnjë incident, me përjashtim të një rasti në Elbasan, në komunën Zavalinë nga reshjet e shiut është çarë rruga dhe kanë mbetur të bllokuar 6 kuti, por edhe pwr kwtw janë marrë masat për të bërë të mundur transportin e kutive, pasi nga KZAZ në Elbasan janë dërguar automjete të tjera për të bërë të mundur të kalojnë nga krahu tjetër I rrugës dhe të bëhet transporti normal i kutive të votimit. Ndërkohë, po gjatë ditës së djeshme, kryetari i KQZ, Arben Ristani shprehu falënderime në adresë të qytetarëve dhe forcave politike për ndenjën e lartë të qytetarisë në mbajtjen e një procesi të qetë dhe të rregullt zgjedhor, ditën e sotme. Kryetari i KQZ, duke deklaruar mbylljen zyrtare të procesit të votimit, informoi gazetarët për fillimin e numërimit të votave në VNV-të, duke e cilësuar këtë moment një pjesë të vështirë të procesit. Duke u ndalur gjithnjë te procesi i numërimit të votave dhe rezultatit përfundimtar, Agjencia e Administrimit të Zgjedhjeve (ECA), në bashkëpunim me organizatën KRIIK, përmes 450 vëzhguesve që ndodhen në 66 vendeve të numërimit njoftuan dje në mbrëmje se të dhënat e mbledhura prej  tyre do të publikohen edhe në faqen e internetit. Informacioni në këtë faqe konsiston në numrin e votave për çdo qendër votimi, vend numërimi dhe gjithë qarkun dhe më pas do të përkthehen në numër mandatesh për secilën parti politike dhe koalicion konkurrues, tha në një konferencë për shtyp drejtori ekzekutiv i ECA, Ilirjan Celibashi. Ai shtoi më tej se, rezultatet  e zgjedhjeve do të procedohen në mënyrë automatike përmes një programi kompjuterik të posaçëm dhe do të bëhen publike në kohë reale, dhe sipas tij, kjo do ta lejojë publikun të marrë informacion të vazhdueshëm mbi votat e marra nga secili subjekt, në secilin qark, numrat e mandateve nga çdo parti ose koalicion, si dhe emrat e kandidatëve fitues për secilën parti politike apo koalicion.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›