E Diel, 1 Nëntor 2026

Numërimi i votave, fierakët pengojnë ardhjen e kutive në KQZ

Autori i Lajmit: Suela Topi
Rezultatet zgjedhore

Fierakët i janë përgjigjur me protesta vendimit të Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve për të nxjerrë të pavlefshme disa kuti votimi që nxirrnin fituese Partinë Socialiste dhe t i sjellë ato në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Me dhjetëra banorë të Fierit janë mbledhur para zyrës së KZAZ-së dhe kanë penguar makinën e KQZ-së për të ngarkuar kutitë e votimit, të cilat duhet të numëroheshin në Tiranë. Ky qëndrim i tyre është mbështetur gjatë gjithë ditës nga kandidatët socialistë në këtë qark, Gramoz Ruçi, Ermelinda Meksi apo Pirro Lutaj. Ruçi ka pohuar për median se është tërësisht antiligjor vendimi i KZAZ-së për të shpallur si të pavlefshme 7 kuti votimi dhe për t i dërguar ato në KQZ, po ashtu dhe për dy kuti të tjera votimi, të cilat janë numëruar, por më pas nuk është plotësuar procesverbali për to, pasi komisionerët demokratë kanë marrë një urdhër politik. Ndërkohë, paraditen e djeshme KQZ ka marrë vendim për shkarkimin e komisionerëve të 4 KZAZ-ve në Fier me argumentin se kanë bllokuar procesin. Ndërkohë po dje kandidatët socialistë kanë bërë një kallëzim penal në prokurori për kreun e KZAZ-së numër 20 në Fier, Shkëlqim Bitaj.
Debatet
Kandidati i socialistëve, Ruçi, ka argumentuar qëndrimet e ashpra të socialistëve kundër KZAZ-së së Fierit duke treguar dy procesverbale për dy nga kutitë e votimit, të cilat pasi janë numëruar dhe kanë dalë në favor të Partisë Socialiste, nuk janë zyrtarizuar me procesverbale. “Dy kuti ku PS është fituese u numëruan u bë gati procesverbali, një procesverbal u firmos nga 3 anëtarë dhe njëra nga 2. Me një urdhër politik, anëtarët e KZAZ-së u ngritën nga tavolina dhe dolën jashtë”, - tha Ruçi. Sipas tij, pas 48 orësh u mblodh KZAZ-ja 20 në Fier dhe mori vendim që dy nga këto kuti t i nxjerrë të pavlefshme, duke mos përdorur asnjë bazë ligjore. Ruçi citon nenin 116 të Kodit Zgjedhor, duke pohuar se nëse ka parregullsi, ato shënohen në procesverbal, i përcillen KZAZ-së dhe procesi i numërimit vazhdon. “Janë 7 kuti të tilla. Dhe pikërisht në këtë qark ku PS ka 28500 vota më shumë se PD. Kjo me synimin e vetëm që PS-së t i merret mandati për t iu dhënë PD”, - tha ai. Lidhur me protestat, Ruçi tha se ato nuk janë organizuar nga PS, por janë vetë qytetarët fierakë, të cilët duan të lexohet drejt vota e tyre. Pas acarimit të situatës në Fier kanë shkuar dhe kandidatët socialistë për deputetë, Sajmir Tahiri dhe Kastriot Islami. Gjatë gjithë pasdites së djeshme situata në Fier ka mbetur e tensionuar, për shkak të përplasjeve mes komisionerëve të PS-së dhe atyre të PD-së. Të pranishëm në KZAZ-në numër 20 kanë qenë dhe disa ministra të kabinetit Berisha , Sokol Olldashi dhe Enkelejd Alibeaj, të cilët debatuan me komisionerët socialistë, të cilët i akuzuan për ndërhyrje. KZAZ-ja numër 20 në qarkun e Fierit ka vendosur me shumicë votash shpalljen të pavlefshme të tri kutive te mbetura. Sipas informacioneve të fundit, të pavlefshme u shpallën dy kuti të numëruara dhe një kuti e pahapur. Bllokimi i situatës në Fier ka nisur që paraditen e djeshme kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për shkarkimin e komisionerëve në KZAZ-të 18, 19, 20 dhe 22. Vendimi i KQZ-së erdhi pasi kryetari Arben Ristani dëgjoi shpjegimet e punonjësve të administratës lidhur me problematikën e secilës KZAZ. Propozimi i tij u miratua me konsensusin e shtatë anëtarëve të KQZ-së. Vëzhguesit e OSBE/ODHIR-it mbikëqyrën dje procesin e numërimit të votave në të gjitha qendrat e votimit të qarkut të Fierit. Në qarkun e Fierit udhëheq për sa i përket numrit të mandateve, Partia Socialiste me 9 deputetë, e ndjekur nga PD me 6 dhe LSI me 1.
Ky lajm është publikuar: 02/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›